Më shumë këshilltarë ushtarakë për ofensivën e Mosulit
5 Janar 2017Koalicioni i drejtuar nga SHBA e ka dyfishuar në 450 vetë numrin e këshilltarëve të tij ushtarakë për forcat e armatosura irakene në ofensivën e Mosulit. Këshilltarët shtesë janë dërguar tashmë në javët e kaluara, tha zëdhënësi i koalicionit, koloneli i SHBA John Dorrian, në një videokonferencë nga Bagdadi. Përforcimi është pjesë e një sërë masash, me të cilat synohet të "përshpejtohet" avancimi i trupave irakiane. Por këshilltarët nuk janë të përfshirë direkt në luftime. Ata shërbejnë si partnerë kontakti për trupat irakene për mbështetje teknike dhe të shërbimeve të fshehta dhe nuk qendrojnë në front.
Rreth 5000 ushtarakë të SHBA në Irak
Sipas të dhënave të saj, ushtria irakene nisi në fund të dhjetorit "fazën e dytë" të ofensivës së saj ndaj qytetit Mosul. Me këtë synohet të "çlirohet" pjesa lindore e Mosulit nga milicia terroriste e Shtetit Islamik, u bë e ditur. Luftëtarët e IS e morën Mosulin në qershor 2014. Pas Bagdadit, Mosuli është qyteti i dytë i madh i vendit.
Forcat e armatosura të SHBA ndërmarrin si pjesë e koalicionit sulme nga ajri dhe me artileri kundër IS në Irak. Veç kësaj ato stërvisin dhe këshillojnë ushtrinë irakene. Aktualisht në Irak ndodhen 5000 pjesëtarë të ushtrisë së SHBA.