Mësimi i gjuhës së tjetrit nga fëmijët
18 Tetor 2010Ministria e arsimit në bashkëpunim me expertë të OSBE-së për pakicat ka përpiluar një strategji të re, ku parashihet që mësimi i maqedonishtes për nxënësit shqiptarë të mbetet një obligim prej klasës së katërt, kurse më herët mund të mësohet vetëm në rast se për një gjë të tillë vendosin prindërit ose këshillat e shkollave. “Nuk bëhet fjalë për mësim klasik të gjuhëve, por për njohje me gjuhën,” shprehet zëvëndëskryeministri Abdylhaqim Ademi. Me këtë strategji mundësohet që edhe nxënësit maqedonas të mësojnë gjuhën shqipe.
“Nëse deri tani mësimi fakultativ dhe zgjedhor për maqedonasit për të mësuar gjuhën shqipe ka qenë nga klasa e gjashtë, tani jepet mundësia që ajo të mësohet edhe nga klasa e parë,” thotë Ademi.
Ministri i arsimit Nikolla Todorov, thotë se në ato shkolla ku do të vendoset të mësohet maqedonishtja prej klasës së parë, mësimi do të jetë përmes lojës dhe nuk do të evidentohet si lëndë. “Bëhet fjalë për një koncept fleksibël që gjuha maqedonase të mësohet përmes lojës që nga klasa e parë, por kuptohet nëse për këtë meret vendim nga prindërit."
Prindërit
Prindërit në përgjithësi nuk shprehen kundër mësimit të gjuhës maqedonase, por ata janë të mendimit se mësimi i dy apo tre gjuhëve në moshën shtatë vjeçe paraqet ngarkesë për fëmijët.
“Një fëmijë prej moshës shtatë vjeçe definitivisht e ka rëndë të mësojë në të njëjtën kohë edhe gjuhën shqipe dhe ate në gjuhën letrare për të shkruar dhe lexuar, e më pas gjuhën angleze dhe atë maqedonishte, nëse pyetem unë do të kisha dashur që fëmija im të mësojë gjuhën maqedone prej klasës së katërt,” Thotë Sevdije Metaj-Zyberi.
“Unë jam turke dhe fëmija im është në klasë të parë, ai mëson gjuhën turke, maqedone dhe angleze. Meqë unë jetoj në komunë ku gjuha shqipe është zyrtare, fëmija im duhet të mësojë edhe shqipen. Për një fëmijë të kësaj moshe mësimi i katërt i gjuhëve është i vështirë,“ thotë Ajtene Tash prinde e nxënësit të klasës së parë.
Fëmijët
Nxënësit shqiptarë që mësojnë në shkolla ku mësimi zhvillohet në dy gjuhë kanë njohje solide të gjuhës maqedonase, por në shkollat etnikisht të pastërta nxënësit shumë pak e njohin dhe përdorin gjuhën maqedone. “E kam vështirë të lexoj, e kam problem nuk e kuptoj aq mirë gjuhën maqedone ndihmë kërkoj nga mësuesja dhe ndonjëherë nga mami,“ thotë një nxënëse e klasës së parë.
Ollga Trajkovska ligjëron gjuhën maqedonase për nxënësit shqiptarë në arsimin fillor. “Nxënësit e klasës së parë vështirë më kuptojnë, nga e tërë klasa vetëm katër apo pesë nxënës janë aktiv të tjerët janë pasiv. Situata ndryshon me grupmoshat më të rritura, ata shumë më mirrë dhe më lehtë zhvillojnë komunikin me gjuhën maqedonase, thotë pedagogja Trajkovska.
Autor: Fatos Musliu
Redaktoi: Aida Cama