1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndihma nga Gjermania për viktimat e përmbytjeve në Bosnjë

Mehmed Smajic/Amarildo Topi24 Maj 2014

Ata mbledhin ndihma dhe i çojnë në zonat e përmbytura. Gjermanë dhe boshnjakë të cilët jetojnë në Gjermani, angazhohen për viktimat e përmbytjeve në Bosnjë.

https://p.dw.com/p/1C5wn
Bosnien Hochwasserkatastrophe
Fotografi: DW/M. Smajic

Më vonë do të fillojë: dy këlnasit Enes Sinanovic dhe Kasim Hodzic ngarkojnë në një minibus oriz, enë, veshje dhe detergjent për larje rrobash. 20 orë udhëtim u nevojitet për të arritur në vendlindjen e tyre Bosnjë-Hercegovinë. Atje ata duan t'u shpërndajnë ndihmat viktimave të prekura nga përmbytjet në fshatrat e vegjël Paraci, Horozovina, Seljublje dhe Hrasno në kantonin e Tuzlës. "Tek këto fshatra është e vështirë të shkohet. Në media nuk flitet për ta dhe marrin shumë pak ndihmë humanitare", shpjegon Enes Sinanovic. Parandaj dy miqtë nga Këlni donin të plotësonin këtë boshllëk. Rrugët për tek fshatrat janë shkatërruar gjatë këtyre ditëve për shkak të rrëshkitjes së tokës. Sidoqoftë ata nuk humbasin guximin.

Ideja për këtë udhëtim bamirësie erdhi nga shefi i tij gjerman thotë Sinanovic. Theodor Josef Greif, biznesmen në tregun imobiliar dhe zëvëndëspresident i Dhomës së Industrisë dhe Tregëtisë së Këlnit, me anë të një emaili kishte ftuar punonjësit e firmës së tij të dhruonin diçka për njërëzit e përmbytur dhe se ata duhet të komunikonin me Enes Sinanovic. Punonjësit përveç sendeve dhanë edhe para, me të cilat u blenë ndihma të tjera. Enes Sinanovic dhe Kasim Hodzic kanë shumë punë për të bërë para udhëtimit. Telefoni i Sinanovicit bie shpesh, pjesa më e madhe janë miq gjermanë që e dinë për udhëtimin e tij dhe duan të japin ndihmën e tyre.

Bosnien Hochwasserkatastrophe
Fotografi: DW/M. Smajic

Në Gjermani janë bërë shumë aksione private ndihmash për të përmbyturit në Bosnjë, Serbi dhe Kroaci. Ministria e Jashtme Gjermane bëri të ditur se ndihma nga Gjermania ka arritur në shifrën e 1 milion eurove.

Frikë nga keqpërdorimi i ndihmave

Shumë aksione ndihme janë ndërmarrë përmes rrjeteve sociale. Për shembull ai nga Amira Djember, drejtuese e një agjencie për kujdesin ndaj fëmijëve në Dyseldorf. Gjermanët janë gjithmonë të gatshëm të ndihmojnë. "Por shumë njerëz kanë frikë se ndihmat e tyre bien në duart e gabuara ", thotë ajo. Prandaj shumë vetë preferojnë të mbushin makinat vetë dhe të udhëtojnë drejt Bosnjës, se sa t'ua besojnë një organizate.

Timo Stegelmann, drejtues projektesh për vendet e Europës Jug-Lindore pranë organizatës "Help - Hilfe zur Selbsthilfe"
Fotografi: Help – Hilfe zur Selbsthilfe

Timo Stegelmann, drejtues projektesh për vendet e Europës Jug-Lindore pranë organizatës "Help - Hilfe zur Selbsthilfe", konfirmon këtë shqetësim. "Ka zëra se disa ndihma të destinuara për të përmbyturit në Bosnjë janë shitur."Prandaj organizata e tij kontrollon me kujdes nëse ndihmat kanë shkuar në vendin e duhur. Gjithsesi ky mosbesim nuk duhet të ndikojë në gatishmërinë për të dhënë ndihmë thotë ambasadori i Bosnjës në Berlin Edin Dilberovic. "Ne duhet të mendojmë si mund të ndihmojmë njerëzit në Bosnjë-Hercegovinë. Nuk është detyra jonë të ndjekim se kush përfiton në mënyrë të padrejtë nga ndihmat, por të japim sa më shumë ndihma për njerëzit."

"Për herë të dytë humbet gjithçka"

Pikërisht këtë gjë ka bërë organizata "Help": në fund të javës në zonat e katastrofës çoi ushqime, ujë të pijshëm, batanije, pelena dhe medikamente. "Rreziku nuk ka kaluar ende. Situata është ende kritike", thotë Stegelmann, i cili ka parasysh edhe historinë e Bosnjës. "Bosnjë-Herzegovina ka lanë pas vetes një luftë të vështirë. Shumë qytetarë të cilët u ngritën në këmbë, tani i humbën sërish të gjitha", vazhdon më tej ai. Por tani është e nevojshme ndihma urgjente.

Ky është edhe qëllimi i Enes Sinanovic dhe Kasim Hodzic, të cilët do të udhëtojnë me minibus drejt fshatrave të përmbytur në Bosnjë. Është e paqartë nëse do të ketë reshje shiu në ditët e ardhshme. Lajmi i mirë për dy këlnasit dhe transportuesit e tjerë të ndihmave është se Sllovenia dhe Kroacia kanë deklaruar se automjetët që transportojnë ndihma për viktmiat e përmbytjeve nuk do të paguajnë doganë.