Një zemër për fëmijët
3 Prill 2006Spitali i fëmijëve në Qendrën Spitalore Universitare „Nënë Tereza“ ne Tiranë ka qenë një nga ambjentet më problematike, si për kushtet që ofronte për pacientët nga i gjithë vendi, ashtu dhe për inventarin e vjetëruar dhe jashtë standarteve të pajisjeve e mjeteve që përdorte personeli mjekesor. Para 5 –6 vjetëve në këtë spital jo vetëm që nuk jepej ndihma e kualifikuar për pacientët fëmijë, por hapur qarkullonte dhe rreziku për ndonjë infeksion apo epidemi mes atyre që trajtoheshin.
Dr. Nikolla Kota, një nga kirurgët e njohur kujton vizitën e dy gazetarëve gjermanë të Bild-it në ambjentet e spitalit. „Ata e panë nga afër situatën e mjeruar, sq sa filmuan dhe furrtaret që lëviznin në muret e dhomave të pacientëve. Përgatiten nje reportazh i cili u bë shkak më pas për sensibilizimin e opinionit dhe të qeverisë gjermane“.
Pas bisedimeve me autoritetet shqiptare, 5 vjet më parë nisi një projekt i vecantë ndihme ku qeveria gjermane si dhe fondacioni „Nje zemër per femijet“ mbështeten spitalin në tre drejtime kryesore: rinovimi i plotë dhe pajisja me aparatura mjekësore të sallës së operacionit , rinovimi i pavioneve të të sëmurëve si dhe i vendeve të pritjes në spital, rindërtimi i një pjese të oborrit rrethues etj.
Zbatuese e projektit ishte GTZ-ja gjermane, e cila ndihmën e shtriu në tri klinika: shërbimin e fëmijëve në Repartin e Djegje Plastikës, klinikën kirurgjikale të Departamentit të Pediatrisë dhe repartin e Neonatologjisë.
Dr. Kota thotë për DW se „tashme, situata ka ndryshuar, sidomos ne pavionin e kirurgjise, ku është ndërtuar nje sallë operacioni, qe per nga niveli i pajimit është nga me te miret ne rajon.“
Ndërkohë në repartin e Djegje Plastikës pranë Shërbimit të Fëmijëve u arrit krijimi i një mjedisi të përshtatshëm për një shërbim më të mirë për fëmijët. Kështu u bë i mundur mobilimi i ambienteve si dhe pajisja me shtretër, libra e lodra për fëmijët e të gjitha moshave.
Po në kuader te projektit u bë i mundur publikimi i një udhërrëfyesi për gratë shtatëzëna si dhe u mundësuan dy emisione televizive po për këtë qëllim.