Në atmosferë të tensionuar Kuvendi miraton ligjin për gjuhët
14 Mars 2018Deputetët e VMRO-DPMNE-së të shoqëruar nga ish-kryetari Nikolla Gruevski bllokuan foltoren e Kuvendit të Maqedonisë në momentin kur kryeparlamentari Talat Xhaferi hapi diskutimin për miratimin e ligjit të gjuhëve. Për këtë arsye deputeti dhe ish-kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski tentuan të pengojë votimin duke thënë se po votohet në mënyrë jo ligjore.Kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi nuk pranoi që të ndërpritet seanca. Te foltorja ka dalë deputeti Gruevksi duke provuar që ta pengojë votimin. Ai ka ndërhyrë edhe tek vendi ku rrinte ulur kryetari Xhaferi të cilin e ka lagur edhe me një gotë ujë, çka e ka detyruar sigurimin të ndërhyjë për të mos eskaluar situata.
Nuk përfillen 35 mijë amendamentet e VMRO-DPMNE-së
Kryetari i grupit parlamentar të partisë opozitare VMRO-DPMNE Ilia Dimovski tha se kësaj partie politike me pa të drejtë po i mohohet e drejta për dorëzimin e amendamenteve gjatë leximit të tretë të ligjit.VMRO-DPMNE kishte proceduar rreth 35 mijë amendamenteve për plotësim-ndryshimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, veprim ky që nga partitë shqiptare në Maqedoni ishte cilësuar si përpjekje për bllokimin e tërësishëm të ligjit. Miratimi i këtij ligji është bërë pa përfillur 35 mijë amendamente të propozuara nga partia opozitare VMRO-DPMNE.
"Zoti Xhaferi ju po thyeni rregulloren e Parlamentit dhe punoni sipas qejfit tuaj. Po ashtu qëllimisht dëshironi që të miratoni ligjin sot me qëllim që data e miratimit të tij të përputhet me datën e krismës së parë të UÇK-së në vititn 2001 në Tetovë", ka thënë Dimovski.
Para godinës së Kuvendit mbahen protesta
Para fillimit të seancës dhe gjatë mbajtjes së saj para ndërtesës së Kuvendit të Maqedonisë janë zhvilluar protesta kundër miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Protestuesit janë shprehur kundër miratimit të ligjit që mundëson një shtrirje më të gjerë të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Ata kanë brohoritur "tradhtarë”, "kombi nuk është në shitje” dhe "shitës të shtetit”. Nga protestuesit u kërkua që në mbrojtje të Maqedonisë dhe unitaritetit të saj të dalin edhe mërgimtarët në Evropë, Amerikë e Australi.
Kuvendi i Maqedonisë e kishte miratuar këtë ligj qysh në muajin janar, por ishte presidenti Gjorgje Ivanov ai i cili nuk e kishte dekretuar atë duke e vlersuar të njejtin si antikushtetues.