Irani Droga
18 Janar 2012Ai ishte 16 ose 17 vjeç kur filloi të merrte hashish. Më pas filloi me opium. Ai vetë tregon se për dy vjet ka marrë rregullisht lëndë narkotike. Pastaj njohu një lloj tjetër droge "crack" dhe ishte tërësisht i varur pas saj. Ferani është tani në mes të 20-tave. Ai dëshiron ta vërë nën kontroll varësinë e tij dhe përpiqet për një fillim të ri. Mjekët duhet ta ndihmojnë.
„Unë nuk isha njeri i mirë dhe shumë gjëra i kisha bërë keq. Këtë e di edhe mjeku im. Një herë unë vodha një pulë të ngrirë nga frigoriferi që të bleja lëndë narkotike".
Zyrtarisht, sipas dr. Ashkon Reza në Iran vetëm dy për qind të popullsisë janë narkomanë. Por ndryshe nga statistikat shtetërore mjekët dhe klinikat flasin për tetë për qind. Irani me këto shifra renditet në botë edhe para Pakistanit duke zënë vendin e parë për numrin e narkomanëve.
"Nga përvoja ime personale mendoj se numri është më i lartë se sa tetë për qind. Unë dyshoj se kjo shifër është mes 14 dhe 15 për qindëshit. Në këto statistika nuk janë përfshirë konsumatorët që marrin drogë thjesht për kënaqësi dhe vetëm sipas rastit. Ne flasim këtu për persona që marrin drogë dhe opium çdo ditë dhe kanë tiparet e varësisë nga ajo.”
Një vend në tym, një popull në kërcënim. Shumë faktorë ndikojnë në Iran lidhur me faktin që shumë njerëz marrin crack, opium, hashish apo drogën e quajtur Crystal. Dr. Ashkon drejton një qendër joshtetërore në perëndim të Teheranit . Ai thotë se shoqëria e Iranit është në stres.
Republika Islamike me një popullsi mjaft të re ka shumë probleme si ajo e papunësisë shumë të lartë, e zhvillimit ekonomik të dobët, e produktivitetit të ulët, e problemeve sociale në rritje, etj - thotë psikiatrja Avisa Mohamedian.
"Problemet sociale në Iran janë sigurisht një faktor për konsumimin e lartë të drogës. Por të rinjtë tanë nuk dinë edhe se si ta shfrytëzojnë kohën e tyre të lirë ose si mund të kenë kënaqësi edhe në forma të tjera. Kjo luan po ashtu një rol të madh."
Për këtë ndihmon edhe afërsia gjeografike e vendeve të mëdha prodhuese të këtyre lëndëve, Afganistani dhe Pakistani. Në një vend ku 5 deri në 10 për qind e popullsisë është narkomane, tregu sigurisht që do të mbushet me lëndë narkotike të lira. Këtë konsumim të madh të drogës e përfocon edhe ky fakt.
"Nëse marr një taksi, mund të siguroj çdo lloj lënde narkotike për pesë minuta. Unë i njoh tregtarët. Lënda narkotike në Iran është shumë e lehtë për t'u siguruar, sikur të blesh një akullore." - tregon Ferani.
Dr. Ashkon Reza thekson një aspekt tjetër: „Çmimi i drogës Crystal e bën atë shumë më tepër të përdorshme. Kur ajo hyri në fillim në treg si lloj droge e re kushtonte 60 deri 80 dollarë për gram. Sot këtë mund ta gjesh për gjashtë dollarë. Kjo do të thotë se një narkoman ia del me dy dollarë të sigurojë një të tretën e gramit Crystal në ditë".
Irani, sipas shefit të autoritetit më të lartë për ndjekjen e trafikantëve të drogës në vend, Mohamed –Masoud Zahedian, po punon në mënyrë masive kundër trafikut të drogës dhe kontrabandës. Vetëm në vitin 2010 janë konfiskuar rreth 430 tonë lëndë narkotike. Në kufirin me Afganistanin dhe Pakistanin po zien një luftë e vërtetë.
"Vitin e kaluar rreth 4000 forca të sigurimit kanë vdekur në luftën kundër kontrabandës së drogës dhe 12.000 janë plagosur. Irani ka shpenzuar mbi 800 milionë dollarë për ngritjen e barrierave dhe instalimin e aparateve elektronike të vëzhgimit. Bashkësia ndërkombëtare e ka mbështetur për këtë problem vendin me dy milionë dollarë.
Për trafikim droge në Iran dënohesh me vdekje. Vitin e kaluar oraganizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International bëri të ditur se për shkak të drogës janë dënuar me vdekje 500 vetë. Por pavarësisht të gjitha përpjekjeve, udhëheqja iraniane këtë problem nuk e ka nën kontroll. Dënimet drakoniane dhe ndalimet e justifikuara me fenë nuk ndihmojnë për zgjidhjen e këtij problemi, mendon dr. Ashkon Reza. Edhe në qendrën e tij të trajtimit të atyre që janë të varur nga droga mund të kurohen simptomat, por jo shkaqet e një krize të thellë shoqërore.
Mungon një koncept, mungon një politikë ekonomike e suksesshme që të hapë vende pune dhe perspektivë për të ardhmen, mungon një vetëdije moderne e problemit nga e cila vuan shoqëria e Iranit.
Autor: Reinhard Baumgarten / Mimoza Kelmendi
Redaktor: Pandeli Pani