Social-demokrati Nastase njoftoi se do të apelojë kundër vendimit
1 Shkurt 2012Për herë të parë që nga rënia e regjimit komunist në Rumani në vitin 1989 u dënua me burgim një ish-kryeministër. Gjykata e Lartë në Bukuresht mori në fillim të javës (30.01.2012) vendim për dënimin e ish-kryeministrit të qeverisë social-demokrate Adrian Nastase me dy vjet burgim për financimin ilegal të e partisë. Prokuroria e kishte akuzuar Nastasen, që e kishte financuar fushatën e tij zgjedhore presidenciale në vitin 2004 me donacione të fshehura prej rreth 1.7 milion €. Nastase njoftoi se do të apelojë kundër vendimit, që sipas pikëpamjes së tij ishte "rezultat i presionit politik mbi gjyqtarët."
Ky vendim është një premierë absolute në këtë vend, i cili pavarësisht anëtarësimit në BE pesë vjet më parë është vazhdimisht nën vëzhgim për shkak të mangësive të rëndësishme në sistemin gjyqësor dhe në luftën kundër korrupsionit. Disa herë BE-ja e ka kritikuar mungesën e vullnetit politik për të luftuar korrupsionin serioz në sektorin publik. Për shkak të këtyre deficiteve është shtyrë edhe pranimi i Rumanisë në zonën e Shengenit.
Në kohë normaliteti politik dhe ekonomik vendimi i gjyqtarëve kundër një ish-kryeministri të korruptuar do të tërhiqte më shumë vëmendjen në Bukuresht. Por mosmarrëveshja prej vitesh e partive dhe kriza e thellë ekonomike e kanë rritur zhgënjimin e qytetarëve dhe drejtuar atë në një drejtim tjetër.
Gjithnjë e më shumë njerëz po kërkojnë largimin e qeverisë konservatore të presidentit Traian Bashesku. Programi i ashpër i kursimit, që është vlerësuar nga Brukseli dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), nxorën javët e fundit në rrugë mijëra demonstrues. Kryeministri Emil Bok i Partisë Demokratike-Liberale (PDL), largoi madje nga detyra edhe nën presionin e shoqërisë civile ministrin e Jashtëm për shkak të fjalëve të tij nënçmuese në lidhje me protestuesit, por protestat vazhdojnë.
Opozita social-liberale u gjallërua dhe bëri përsëri thirrje, si edhe shpesh më parë, për largimin e presidentit dhe zgjedhje të reja të parakoshme. Masa e parë politike, që ndërmori USL, Unionioni Social-Liberal, një lidhje për interes mes socialdemokratëve (PSD) dhe Partisë Kombëtare Liberale (PNL), qe bojkotimi i Parlamentit. Disa deputetë liberalë dorëzuan madje mandatin e tyre dhe shpresojnë në këtë mënyrë të shkaktojnë shpërbërjen e Parlamentit.
Opozita e sheh veten të forcuar në përpjekjet e saj nga një studim i kohëve të fundit, në të cilën të dy kryetarët e Aleancës, Viktor Ponta, PSD, dhe Crin Antonesku, PNL, ishin në vendin e dytë dhe të tretë me 25% dhe 22% të votave. Bashesku dhe kryeministri Emil Bok me 8 dhe 7 për qind janë më keq se më parë. E frikshme në këtë barometër është renditja në vendin e katërt e eurodeputetit ultranacionalist Korneliu Vadim Tudor. Në krye të shkallës së popullaritetit në Rumani është politikani 90-vjeçar mbreti i mëparshëm të vendit, Michael I., me gati 37%, një shenjë e qartë kundër tërë klasës politike në vend.
Ish-monarku duket se është për shumë rumunë figura e fundit integruese, që mund ta shpëtojë vendin 22 vjet pas përmbysjes së përgjakshme të diktatorit Nikolae Çaushesku. Klasa politike post-komuniste konsiderohet nga shumëkush jo vetëm si e korruptuar, por gjithnjë e më tepër si të paaftë për zgjidhjen e periudhës së krizës në politikë, ekonomi dhe shoqëri. Në vend ka nisur një debat publik, nëse modeli i monarkisë kushtetuese, si në Skandinavi apo Britaninë e Madhe, nuk do të ishte për Rumaninë një alternativë më e mirë se përzierja aktuale e republikës parlamentare dhe presidenciale. Edhe nëse për monarkinë nuk ka shumicë: njerëzit në Rumani duan t'i jepet fund luftës politike për pushtet dhe mbi të gjitha duan një zbutje të fortë të pasojave të politikës së kursimit.
Autor: Robert Schwartz/P.Pani
Redaktoi: A Verbica