Opozita në Francë rrëzon qeverinë
5 Dhjetor 2024Me votën e mosbesimit opozita në Francë rrëzoi qeverinë e qendrës së djathtë të kryeministrit Michel Barnier. Nacionalistët e djathtë rreth Marine Le Pen dhe kampi i majtë votuan bashkarisht kundër qeverisë, e cila nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme të votave në Asamblenë Parlamentare. Gjithsej 331 nga 577 deputetë nuk i dhanë votëbesimin qeverisë. Barnier duhet të paraqesë dorëheqjen tek presidenti Emmanuel Macron.
Si do të vazhdojë më tej pas votës së mosbesimit?
Në vend është krijuar një situatë ngërçi, pasi rënia e qeverisë e zhyt Francën në një krizë të thellë politike. Zgjedhjet e reja parlamentare mund të zhvillohen në verë 2025. Raportet e forcave politike mbeten të pandryshuara gjë që krijon ngërç. As kampi i majtë, që fitoi zgjedhjet parlamentare sivjet në verë, as forcat e qendrës të Macron dhe as nacionalistët e djathtë të Marine Le Pen me aleatët e vet nuk kanë shumicë të mjaftueshme për të qeverisur. Krijimi i qeverisë sërish do të jetë i vështirë. Ka pak gjasë që në fund të mjaftojë për më shumë se sa një qeveri pakice.
Macron nën presion
Pas Gjermanisëedhe shtylla e dytë e motorit të rëndësishëm gjermano-francez në Europë rrezikon të bjerë përkohësisht në ngërç politik dhe asaj do t'i duhet të merret kryesisht me problemet e veta të politikës së brendshme. Mandati i Macron nuk cënohet nga vota e mosbesimit. Si president ai emëron kryeministrin. Pas zgjedhjeve presidenciale ai u angazhua fuqishëm për krijimin e qeverisë dhe tani do t'i duhet sërish të merret me këtë çështje. Por rënia e qeverisë e dëmton edhe atë vet. Kreu i shtetit e emëroi Barnier kryeministër pas konsultimeve të gjata, forcat e tij të qendrës bashkëqeverisin. Opozita mund të përpiqet tani, që për shkak të raporteve të ndërlikuara politike të nxisë zgjedhje të parakohshme presidenciale. Deri tani Macron e ka refuzuar vazhdimisht këtë. Mandati i tij përfundon më 2027.
Përse Franca ndodhet në krizë politike?
Shkas për krizën politike u bë grindja për buxhetin.Franca ka një kuotë të lartë borxhesh të reja, të cilat Barnier synonte t'i vinte nën kontroll. Projektbuxheti i tij parashikonte, që deficiti buxhetor të ulej nga gjashtë përqind aktualisht në pesë përqind vitin e ardhshëm. Për këtë duhej të rriteshin taksat dhe të shkurtoheshin shpenzimet në volumin e gati 60 miliardë eurove. Të djathtët dhe të majtët kundërshtuan shkurtimet e planifikuara. Qeveria e Barnier do të hyjë në historinë e Francës si qeveria më jetëshkrutër.
dpa/ard