Organizata Ndërkombëtare për Energji Bërthamore kërkon nga Irani ndërprerjen e punës në centralin e Isfahanit
12 Gusht 2005Udhëheqja iraniane duhet të ndërpres punimet në centralin atomik të Isfahanit dhe të rifilloj sërish negociatat me evropianët. Kjo është kërkesa më e rëndësishme e Organizatës Ndërkombëtare për energji bërthamore. Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca arritën me këtë edhe qëllimin tyre kryesor: Organizata Ndërkombëtare për energji bërthamore provon të ushtroj presion pa mbledhur Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Mbledhja e Këshillit të Guvernatorëve fillimisht u desh të shtyhej për shkak se disa nga shtetet e painkuadruara e ndjenin veten të anashkaluar. Andaj aty nga mesdita diplomatët provuan që të votojnë për qëndrimet e vendeve të tyre. Zëdhënsja e Organizatës Ndërkombëtare për Energji Bërthamore Melisa Fleming konfirmoi vetëm se evropainët duan të paraqesin kërkesa të fuqishme në deklaratë:
"Në tryezën e negociatave ndodhet një rezolutë e cila vë në pah se është duke u peshuar seriozisht vendimi i iranianëve që të vazhdohet me pasurimin e kufizuar të uranit në Isfahan. Përveç kësaj nga Irani kërkohet që të ndërprej të gjithë hapat e pasurimit të uranit që kanë të bëjnë konkretisht me centralin e Isfahanit".
Këshilli i Guvernatorëve është organi më i lartë vendimmarrës i Organizatës Ndërkombëtare për energji bërthamore. Aty janë të përfaqësuara 35 shtete në mesin e tyre edhe fuqitë atomike si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia dhe Kina.
Udhëheqësi i delegacionit iranian përsëriti edhe njëherë qëndrimin e qeverisë së tij: Teherani thirret në atë se Marrëveshja për ndalimin e armëve bërthamore e lejon pasurimin e uranit për qëllime paqësore. Kjo nuk hidhet poshtë nga askush. Por me pasurimin e lartë të uranit mund të prodhohen edhe bomba atomike dhe nuk janë të vetme Shtetet e Bashkuara të Amerikës që mendojnë se ky është edhe qëllimi i Teheranit zyrtar. Andaj edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit të Guverantorëve ambasadori amerikan në Organizatën Ndërkombëtare për energji bërthamore përdori fjalë të qarta:
"Ne nuk guxojmë ta lejojmë Iranin që të zhvilloj armë atomike", tha ambasadori Shulte.
Teherani e ka mbajtur për 18 vjet me radhë të fshehtë programin e tij bërthamor. Evropianët arritën që vitin e kaluar të bindin iranianët për ndërprerjen e pasurimit të uranit. Si kompensim para ca kohësh ata ofruan edhe mbështetje ekonomike dhe teknike. Megjithatë për udhëheqjen e Iranit siç duket kjo nuk mjafton. Andaj në fillim të javës Teherani filloi sërish punën në centralin atomik të Isfahanit.
Që të enjten në mëngjes përfaqësuesit iranian e bën të qartë se kërkesat për ndërprerjen e punës janë të pakuptueshme. Teheranit nuk i mbetet shumë kohë për të reaguar. Pas tre javësh është paraparë mbedhja e radhës e Këshillit të Guvernatorëve për tu konsultuar mbi hapat tjerë.