1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Papa Benedikt mbërriti në Australi

Bernd Mush-Borovska14 Korrik 2008

Në mes të kësaj jave Papa do të marrë pjesë në Ditën Botërore të Rinisë në Sidnej, ku do të përballet edhe njëherë me temën e abuzimeve seksuale në kishën katolike.

https://p.dw.com/p/Ec7b
Papa Benedikt i 16-të mbërrin në Australi
Papa Benedikt i 16-të mbërrin në AustraliFotografi: AP

Në mbërritjen e tij në aeroportin ushtarak të Ricmondit pranë Sidnejt, Papën e përshëndetën kryeministri i Australisë Kevin Rad (Rudd), kryepeshkopi i Sidnejt, kardinali Xhorxh Pell dhe shumë peshkopë të tjerë. Kreu i kishës katolike pas mbërritjes vazhdoi rrugën për në Blue Mountains, ku do të kalojë pushimet deri në daljen e tij të madhe në Ditën Botërore të Rinisë të enjten. Në qendrën e shkollimit të shkëputur nga rrethinat të organizatës konservatore Opus Dei babai i shenjtë do të përgatitet për takimin me rininë e botës.

Papa Benedikt i 16-të do ta bëjë mbrojtjen e ambjentit temë kryesore në Ditën Botërore të Rinisë në Sidnej. Gjatë fluturimit nga Roma në Sidnej ai u tha gazetarëve që udhëtonin në avion me të se ai synon të nxisë ndërgjegjësimin për krijesën dhe ruajtjen e saj. Prandaj edhe tema e mbrojtjes së ambjentit do të luajë një rol qendror në Ditën Botërore të Rinisë. Sipas fjalëve të Papës Benedikt, kisha vërtet që nuk përzihet në çështje teknike dhe politike të mbrojtjes së ambjentit. Por ajo duhet të japë impulse të rëndësishme për të ndihmuar politikën, për ta trajtuar me seriozitet dhe me efikasitet këtë sfidë të madhe, tha Papa.

Veç kësaj, Papa bëri të ditur se do të pozicionohet në Ditën Botërore të Rinisë për rastet e abuzimit seksual nga ana e priftërinjve katolikë në Australi. Sic kishte bërë edhe gjatë vizitës së tij në SHBA rreth tri muaj më parë. Posti i priftit dhe abuzimi, sipas Papës Benedikt i 16-të, nuk janë në pajtim me njëra-tjetrën. Një sjellje e tillë e gabuar është në kundërshtim me shenjtërinë, tha ai. Për kishën është e rëndësishme që të vërë në rrugë një proces pajtimi dhe të pranojë fajin, për t'i penguar në të ardhmen raste të tilla. Viktimat e shpërdorimit seksualë nga priftërinjtë katolikë në Australi kishin kërkuar prej javësh një falje nga Papa.

Të enjten kreu i Kishës Katolike do të përshëndetet zyrtarisht nga qindra mijëra pelegrinë të rinj në Portin e Sidnejt. Përfundim i shquar i Ditës Botërore të Rinisë do të jetë në 20 korrik Panairi në pistën e hipizmit në Randvik, në të cilin pritet të marrin pjesë rreth 500 mijë besimtarë. Ndërkohë, gjithnjë e më shumë pelegrinë nga e gjithë bota po mbërrijnë në aeroportin e Sidnejt. Më shumë se 200 mijë të rinj priten nga organizatorët. 6 mijë prej tyre vijnë vetëm nga Gjermania. Sipas të dhënave të Konferencës Gjermane të Pëshkopëve, gjermanët përfaqësojnë kështu për nga madhësia, krahas vendit mikpritës të Australisë, SHBA dhe Italisë, grupin e katërt të pelegrinëve.