1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Para 75 vitesh: Ura ajrore e Berlinit i bëri armiqtë miq

30 Shtator 2024

Pasi Bashkimi Sovjetik bllokoi furnizimin e Berlinit Perëndimor në vitin 1948, aleatët perëndimorë nisën një operacion historik shpëtimi: urën ajrore të ndihmave për më shumë se dy milionë banorë para 75 vjetësh.

https://p.dw.com/p/4lEIg
Ura ajrore e Berlinit - ndihma nga aleatët
Ura ajrore e Berlinit - ndihma nga aleatët Fotografi: -/dpa/picture-alliance

Kur përfundoi Lufta e Dytë Botërore në Evropë më 8 maj 1945, Gjermania gjendej në gërmadha, qytetet e saj i ngjasonin peizazheve me rrënoja. Pas lufte njerëzit shpresonin për kohë më të mira. Por hija e Luftës së Ftohtë filloi të errësonte rindërtimin e Gjermanisë së pushtuar. Fuqitë fitimtare, aleatët perëndimorë SHBA, Britania e Madhe dhe Franca nga njëra anë dhe Bashkimi Sovjetik nga ana tjetër e shihnin njëri-tjetrin me dyshim. Jo vetëm Gjermania në tërësi ishte e ndarë në zona pushtimi, por edhe Berlini. Dhe këtu tensionet ishin veçanërisht të dukshme. Në tre sektorët perëndimorë të Berlinit, rreth dy milionë njerëz jetonin si në një ishull në mes të sferës së ndikimit sovjetik.

Kriza e shkaktuar nga futja e markës gjermane

Më 20 qershor 1948 erdhi përballja e fortë mes Perëndimit dhe Lindjes: Aleatët Perëndimorë vendosën për një bashkim monetar, që ishte edhe ora e lindje së së markës gjermane. Gjermania do duhej të stabilizohej ekonomikisht nëpërmjet një monedhe të fortë. D-Mark -(deutsche mark) u fut edhe në Berlinin Perëndimor. Por diktatori sovjetik Josef Stalin ka frikë se futja e monedhës së re do të konsolidojë statusin special të Berlinit Perëndimor si një urë lidhëse për aleatët perëndimorë pikërisht në mes të territorit sovjetik. "Kjo shkaktoir përçarjen mes tre fuqive perëndimore pushtuese dhe palës sovjetike", thotë kuratori i Muzeut të Aleatëve në Berlin, Bernd von Kostka për Deutsche Welle. "Një politikë e përbashkët për Gjermaninë ishte shumë e vështirë që në fillim, por përmes bashkimit monetar ajo u bë faktikisht e pamundur."

Nga aeroporti Gatow u nisën avionët në vitin 1948
Nga aeroporti Gatow u nisën avionët në vitin 1948Fotografi: akg-images/picture alliance

Natën e 24 qershorit, sovjetikët bllokuan të gjitha rrugët e hyrjes për në pjesën perëndimore. Pas kësaj fiken dritat në të gjithë Berlinin Perëndimor. Sepse 75 për qind të energjisë elektrike e sjellin zonat përreth. Blloku Lindor planifikoi kështu lodhjen e banorëve në mënyrë që të detyrojë aleatët të largohen nga qyteti i ndarë.

Berlini Perëndimor si bastion kundër komunizmit

Por megjithëse bëhet fjalë për armikun e dikurshëm, aleatët ruajnë pozicionet. SHBA e shikon Berlinin Perëndimor edhe si një roje të lirisë, bastion mbrojtës kundër komunizmit. Koha nuk pret, sepse banorët e Berlinit Perëndimor kërcënohen nga uria. Presidenti i atëhershëm amerikan, Harry S. Truman vendos në bashkëpunim me aleatët për një aksion spektakolar shpëtimi: furnizimin e dy milionë njerëzve nga aji përmbi tre korridore ajri të premtuara nga sovjetikër. Nuk kishte asnjë alternativë tjetër, rrëfen Bernd von Kostka. Por ky plan fillimisht dukej "i papërfytyrueshëm".

Më 26 qershor, avionët e parë të Forcave Ajrore të SHBA nisen nga Frankfurt mbi Main dhe Wiesbadeni për në aeroportin Tempelhof në Berlin. Pak kohë më vonë transportuesit fluturojnë pa pushim. Ata ngrihen dhe ulen çdo 90 sekonda në aeroportin Tempelhof në sektorin amerikan, Gatow në sektorin britanik dhe, nga dhjetori 1948, në aeroportin e ri Tegel, i cili u zgjerua nga francezët. Pjesa e mbyllur perëndimore e Berlinit ka nevojë për një mesatare prej të paktën 5,000 deri në 6,000 tonë ushqim dhe qymyr çdo ditë. Kulmi arrihet në mes të prillit 1949. Rreth 1,400 fluturime dërgojnë pothuajse 13,000 tonë ngarkesë brenda 24 orëve. Pilotët e linjës ajrore janë në mision të vazhdueshëm. Shpesh të lodhur, ata rrezikojnë edhe jetën për të fluturuar në qytet

Përkujtohet me ministrin e Mbrojtjes ura ajrore e Berlinit para 75 vjetësh
Përkujtohet me ministrin e Mbrojtjes ura ajrore e Berlinit para 75 vjetëshFotografi: Annegret Hilse/REUTERS

Çokollata dhe çamçakëzë për fëmijët

Avionët që nga berlinezët quhen "bombarduesh ëmbëlsirash" (Rosinenbomber) fluturojnë shumë ulët mbi qytet, dhe përshëndeten nga banorët. Disa pilotë me parashuta të përgatitura vetë hedhin edhe çokollata dhe çamçakëzë për fëmijët. Me fillimin e ndihmës ajrore, marrëdhënia e tensionuar mes forcave amerikane dhe gjermanëve të pushtuar ndryshoi. "Një mik në forcat pushtuese amerikane më tha se kur shkonin në një restorant para urës ajrore, gjermanët ngriheshin dhe largoheshin sepse nuk donin asgjë të kishin të bënin me ta," thotë ish-piloti i Forcave Ajrore të SHBA-së Gail Halvorsen. në faqen e internetit "Memory of the Nation” nga Fondacioni "Shtëpia e historisë”. Haverson ndërkohë ka vdekur. "Por pasi filluam të fluturonim me ushqime përmbi Berlin, amerikanët ishin të mirëpritur. Kjo është fantastike. Armiqtë u bënë miq."

Përveç që aleatët kryen një kryevepër logjistike, vendimtare ishte edhe këmbëngulja e të bllokuarve. Në faqen multimediale të projektit "Kujtesa e Kombit", historiani zviceran Walther Hofer përshkruan situatën në dimër, "në të cilën çdo familje kishte energji elektrike vetëm për një orë në ditë, sepse qymyri duhej për termocentralet. Kjo ndryshonte nga java në javë, ushqimi i vetëm i ngrohtë mund të gatuhej në orën një të mëngjesit. Për ngrohje as që bëhej fjalë. Ishin sakrifica të pashembullta ato që duhej të bënte popullsia."

Me çdo ditë të furnizimit përmes urës ajrore, aleatët perëndimorë fitojnë më shumë simpati tek publiku ndërkombëtar, ndërsa reputacioni i sovjetikëve bie. Më në fund, Stalinit i duhet të kuptojë se ai nuk mund ta fitojë këtë lojë pushteti. Pas 322 ditësh, më 12 maj 1949, ai i dha fund bllokadës. Deri atëherë, aleatët kishin transportuar më shumë se 2.1 milion ton furnizime në rreth 260,000 fluturime për në Berlinin Perëndimor. Transporti ajror përfundoi zyrtarisht më 30 shtator 1949, 75 vjet më parë.

Ura ajrore e Berlinit qershor 1948 - avionë në aerooprtin Tempelhof
Ura ajrore e Berlinit qershor 1948 - Avionët që nga berlinezët quhen "bombarduesh ëmbëlsirash" (Rosinenbomber) fluturojnë shumë ulët mbi qytet, dhe përshëndeten nga banorët. Fotografi: akg-images/picture-alliance

Kalkulimi i gabuar historik i Stalinit

"Stalini arriti të kundërtën e asaj që donte të arrinte. Pra, që aleatët të ndalonin përgatitjen e një shteti të Gjermanisë Perëndimore. Por ai u formua edhe më shpejt, u formua NATO, integrimi perëndimor përparoi. Bllokada e Stalinit ndaj Berlinit Perëndimor është një nga kalkulimet më të gabuara që një politikan ka bërë ndonjëherë”, thotë historiani Walther Hof.  Kurse gjermanët filluan të ndjeheshin të mirëpritur përsëri në bashkësinë e vlerave të Perëndimit, shpjegon Bernd von Kostka nga Muzeu i Aleatëve: "Ata filluan të mos i perceptonin më aleatët kryesisht si fuqi okupuese, por më tepër si fuqi mbrojtëse."