Parlamenti Evropian debaton për Kosovën
7 Korrik 2010Ulricke Lunacek, deputete e Të gjelbërve evropiane, ka përgatitur një prpjektrezolutë që vjen si përgjigje ndaj raportit të progresit të Komisionit Evropiant, të vitit të kaluar. Projektrezoluta kërkon që Komisioni i BE-së të shprehë qartë synimin e perspektivës evropiane të Kosovës dhe integrimit të saj në BE.
"Në raportin tim unë kërkoj që liberalizimi i vizave për Kosovën të fillojë menjëherë, që vendet që nuk kanë njohur Kosovën ta bëjnë këtë për të bërë më efektive përpjekjet e BE-së në Kosovë dhe parave të financuara atje. Raporti kërkon nga Serbia që të ndalojë përkrahjen e strukturave paralele në Kosovë dhe të gjejë një formë transpartente të ndihmës për serbët e Kosovës," thotë Ulricke Lunacek për Deutsche Wellen.
Një pikë tjetër është të përkrahet EULEX-i në procesin e forcimit të shtetit të së drejtës, dhe në hetimet e fundit që ka filluar me rastet e korrupsionit, për shembull në ministrinë e Transportit. "Unë kam bërë dhe një kërkesë tjetër, por nuk e di a do të pranohet, që Kosova të futet vitit tjetër në procesin e përgatitjes së marrëveshjes së asocijimit në BE," shton Lunacek.
Ulricke Lunacek pret që projektrezoluta e saj të marrë nesër gjatë votimit tre të katërtat e votave "që të bëhet e qartë për se është pjesa më e madhe e BE-së. Pjesa më e madhe e BE-së është për Kosovën e pavarur dhe shpresoj, se pas dhënies së gjykimit në Hagë këtë muaj, edhe vendet e tjera që nuk e kanë njohur të shfrytëzojnë mundësinë për ta bërë," thotë Lunacek.
Vendet që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës janë Qipri, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.
Autor: Aida Cama
Redaktoi: Dr. Pandeli Pani