Pilzen: mjeshtëria e birrës, barok dhe teatër kukullash
Miliona turistë vizitojnë çdo vit në Pilzen birrarinë me famë botërore. Por gjatë një shëtitjeje në qytetin çek mund të zbulosh shumë të tepër.
Simboli i Pilzenit
Një qytet pa katedrale – kjo do të ishte e paimagjinueshme në Mesjetë. Ndaj menjëherë pas themelimit të qytetit në vitin 1295 banorët e tij ndërtuan katedralen e Shën Bartolomeut. Në të jo vetëm që ruhet një nga veprat më me vlerë të qytetit, Madona e Pilzenit, por nga kambanorja mbi 100 metra e lartë e katedrales mund të shijosh edhe panoramën më të bukur të qyetit të parë nga sipër.
Sheshi i qytetit me ar dhe granit
Pilzen ka vetëm 170.000 banorë, por ai mund të krahasohet me metropolet e tjera me „Sheshin e Republikës“, që ka qyteti. Ky është një shesh qyteti ndër më të mëdhenjtë në Europë. Në qendër ndodhet kolona e mortajës. Ajo u ndërtua në vitin 1681 si shenjë e mirënjohjes që banorët e qytetit i shpëtuan epidemisë. Gjithashtu sheshin e zbukurojnë shatërvanë modernë të ndërtuar me ar dhe granit.
Qendra e kryeqytetit të kulturës europiane
Bashkia e kryebashkiakut Martin Zrzavecký është një xhevahir nga epoka e Rilindjes. Këtu koordinohen aktivitetet, që do të zhvillohen gjatë vitit të kryeqytetit të kulturës. Me kultur, art dhe shpirt krijues synohet që Pilzenit t’i jepet një imazh i ri dhe ai të çlirohet nga imazhi gri i qytetit industrial. Bashkia u ndërtua në vitin 1558 sipas projektit të një mjeshtri italian të ndërtimit.
Sinagoga e superlativave
Si në shumë qytete europiane qytetarët hebrej kanë një histori me shumë thyerje. Për herë të parë ata përmenden në dokumentat e shkruar në vitin 1338. Disa herë të dëbuar ata u vendosën disa herë në Pilzen. Komuniteti hebre ka qenë aq i pasur, sa në vitin 1892 ndërtoi sinagogën e dytë për nga madhësia në Europë pas asaj të Budapestit. Akustika është unikale. Ndaj këtu zhvillohen shumë koncerte.
Teatër në stil të vjetër dhe të ri
Teatri është një ndër monumentet më të rëndësishme kulturore të qytetit. Godina me gurë ranorë u ndërtua në vitin 1902 në stilin neo-klasik. Deri në vitin 1966 ka pasur edhe një teatër të vogël, sepse banorët e Pilzenit e donin shumë teatrin, operan dhe baletin. Në shtator 2014 qyteti inaguroi teatrin e ri krahas atij të vjetrit. Katër trupat kanë mundësi të luajnë tani sërish në dy skena.
Në djepin e teatrit me kukulla
Shfaqjet me kukulla kanë një traditë të gjatë në Pilzen. Aktorë legjendarë si Karel Novák dhe Josef Skupa i bënin kukullat të kërcenin në qytet. Skupa hapi dhe drejtoi këtu në vitet 1930 dhe 1943 teatrin e parë profesionist me kukulla në Çekosslovaki. Që nga viti 1966 ekziston teatri Alfa. 15 aktorët e teatrit me kukulla shpesh japin shfaqje edhe jashtë vendit.
Kulturë në stacionin jugor të trenit
Gjysmë i rënuar dhe pa ngrohje kishte mbetur stacioni i vjetër jugor i trenit për gati 100 vjet, derisa në 1998 atë e morën në dorë artistët. Në godinën e vjetër në stilin neo-klasik ata hapën atelie dhe dhoma provash. Në skenën e krijuar në sallën e dikurshme të stacionit të trenit sot jepen shfaqje teatri e baleti. Në vitin e kulturës europiane këtu organizohen shumë shfaqje dhe ekspozita.
Prodhimi i birrës një magnet për publikun
"Plzeňský Prazdroj" është ndër birrat më të njohura në botë. Çdo vit këtu derdhen nëpër shishe apo fuçi mbi katër milionë hektolitra birrë. Birraria e Pilzenit është një ndër atraksionet kryesore për turistët në këtë qytet. Çdo vit vijnë këtu rreth gjysmë milioni vizitorë. Më shumë për historinë e kësaj punishtjeje që nga viti 1842 mund të mësosh në muzeun e birrarisë.
Prodhim makinerishë me famë botërore
Fabrikat e Skodës të themeluara në vitin 1859 edhe sot vazhdojnë të jenë ndër sipërmarrjet më të rëndësishme në rajon. Fillimisht sipërmarrja e prodhimit të makinerive prodhonte impiante për birraritë, fabrikat e sheqerit dhe minierat. Pas Luftës së Parë Botërore këtu u prodhuan automjetet e para. Prej fabrikave të Skodës Pilzeni mori emrin e një qyteti industrial.
Një parajsë ujore për shëtitje
Me kanalin e mullirit Pilzeni dëshmon se është një qytet i gjelbër. Kanali i ujit në pjesën lindore të mureve rrethuese të qytetit dikur e çonte ujin në të ashtuquajturin mulliri i feudalit. Këndi romantik është edhe sot një destinacion i preferuar për shëtitje. Gjatë vitit të kryeqytetit të kulturës europiane vështirë se këtu do të mund të gjesh një qoshe të qetë pasi të kesh vizituar qytetin.