Politikë ekonomike e dështuar në Iran
29 Qershor 2007Presidenti i Iranit parapëlqente të përdorte premtime populiste nga koha e revolucionit të vitit 1979 kur fliste për ndarjen e pasurisë së vendit mes të 'privuarve së drejtash'. Por tani atij i duhet të dëftehet dhe të përkulet para realitetit duke racionuar ose rritur çmimin e benzinës për popullin e vet; sepse ai gjendet nën trysni, si ekonomikisht ashtu edhe në politikën e sigurimit. Nga 27 qershori nuk mund të flitet më për benzinë të lirë, të pafund për iranianët.
Prej kohësh çështja nuk duronte më, mendojnë ekspertët; jo racionimi i karburantit, por rritja e çmimit të tij. Si qeveritë pasrevolucionare ashtu edhe ekspertët e dinin me kohë që t'i ofroje popullit benzinë me 7-8 cent litri, nuk përballohej ekonomikisht as nga vendi më i madh eksportues i naftës në botë.
Me kohë duheshin ngritur çmimet për iranianët në nivelin e tregut ndërkombëtar dhe të shteteve fqinje, beson eksperti ekonomik dhe publicisti Said Leylaz: 'Oferta energjetike vjetore e vendit është rreth 60 miliardë dollarë, prej të cilave 45 miliardë janë të subvencionuara. Kjo do të thotë se të ardhurat e qeverisë janë vetëm 15 miliardë. Kjo bën që çdo automjet të kapë një konsum ditor prej 12 litrash. Në këtë mënyrë është arritur një nivel shumë shpërthyes.'
Vetëm gjatë dy viteve të fundit llogaria e rezervës së valutës jashtë vendit, e krijuar me të ardhurat e naftës, u zvogëlua me 10 miliardë dollarë. Kjo po ndodh në një kohë kur vendi ka urgjentisht nevojë për një shëndoshje ekonomike.
Të gjithë ekspertët pajtohen për nevojën e barazimit të çmimit të benzinës me atë të vendeve fqinje. Nuk bën për shembull që në një vend eksportues nafte si Rusia një litër benzinë të kushtojë nëntë herë më shumë sesa në Iran. Politikanët rusë i pyesin kolegët e tyre iranianë përse në vendin e tyre benzina është më e lirë se uji; dhe këta nuk kanë përgjigje.
Në të kaluarën parlamenti i ka propozuar qeverisë së Ahmadinexhadit, ta ngrinte çmimin e karburantit në rreth 15 cent. Nën zë flitet për rrjete ilegale si përfituesit e vërtetë prej kontrabandës me benzinën e lirë në vendet fqinje. Deri tani ata kanë nxjerrë nga kjo miliarda.
Dozenti i shkencave ekonomike në Teheran Bijan Beidabad beson se rritja e çmimit do ta shkatërronte këtë tregti të paligjshme: 'Përpara sesa benziva të shihet si problem ekonomik, ai duhet parë si trysni e rrjeteve të paligjshme, gjurmët e të cilave mbërrijnë deri në ministrinë e naftës dhe në organet e sigurisë. Dallimi i jashtëzakonshëm në çmimin e benzinës midis Iranit dhe shteteve fqinje ofron mundësinë e kontrabandimit të benzinës jashtë vendit. Tani qeveria po përpiqet t'i pengojë këto eksporte me kontrollimin e çmimeve dhe të konsumatorit.'
Ekspertët si Beidabad përkrahin më tepër rritjen e çmimit dhe një ofertë të lirë. Racionimin ata e shohin si një projekt kalimtar: 'Rritja e çmimit është parimisht mjeti i duhur, por në gjendjen e tanishme, duke qenë se njerëzit që fitojnë pak janë shumë të prekur, karburanti u duhet shitur i racionuar dhe me çmim të lirë. Dhe kush konsumon mbi këtë sasi duhet të ketë mundësinë e blerjes me nivelin e çmimit të vendeve fqinje.'
Për disa përkrahës kjo masë u shpall përpara kohe. Fillimisht duhej rritur kapaciteti i sistemit të transportit publik që gjendet në lëngatë, përndryshe një qytet 13 milionë banorësh si Teherani do të ishte krejtësisht i mbingarkuar.
Në gjithë këtë problematikë nuk bëhet fjalë për mungesë benzine, por për konsum të theksuar, i cili duhet kufizuar. Subvencionimi nuk është vetëm jorentabël, por ai dëmton rëndë edhe mjedisin. E tëra kjo paraqet edhe një problem sigurie. Në kohën e konfrontimit dhe të përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare rreth programit bërthamor varësia totale nga benzina e importit konsiderohet si thembra e Akilit e shtetit.