Portugali: Masa të rrepta kursimi
5 Nëntor 2010Pensionistët në Lisbonë nuk e prishin terezinë, sepse e dinë që nuk mund të bëjë dot gjë kundër masave të kursimit të vendosura prej parlamentit.
"Vendi po kalon në këtë krizë në mizerje, kriza u shkaktua nga të pasurit dhe qeverisë dhe kryeministrit duhet t'u vijë turp" - thotë megjithatë njëri prej tyre.
Portugezëve u duhet të shtërngojnë urgjentisht rripin dhe të kursejnë. Vendi ka hyrë thellë në borxhe dhe për këtë shkak parlamenti mori vendime për zbatimin e një sërë masave të dhimbshme kursimi.
P.sh. pagat e punonjësve civilë do të shkurtohen në masën 5%. Përveç kësaj në të ardhmen do të shtohet tvsh-ja, si dhe sipërmarrjet do të paguajnë një taksë prej 2,5% mbi fitimet.
Qëllimi është që vitin e ardhshëm deficiti i shtetit të përgjysmohet në 4,6%.
Sindikatat janë mobilizuar për t'iu kundërvënë këtyre masave. Sipas mendimit të tyre paketa e kursimeve prek njerëzit e gabuar.
"Ne themi ky nuk është buxhet shteti por buxhet për bankierët. Një gjë e tillë është e keqe si për vendin edhe për punonjësit. Dhe për këtë ne jemi duke bërë thirrje për grevë të përgjithshme" - thotë Armenio Carlos, i sindikatës CGTP.
Greva e përgjithshme parashikohet të zhvillohet më 24 nëntor, sepse kjo është koha, kur qeveria do të vendosë për të gjithë paketën e kursimeve.
Megjithë paketën e kursimeve Komisioni i BE-së i bëri thirrje Portugalisë që të bëjë edhe shkurtime të tjera për ta ulur sa më parë nivelin e deficitit buxhetor. Zëdhënësi i Oli Rehnit tha se "Politikanët duhet të fitojnë mbështetjen politike dhe publike për masat e kursimit, që do të bëhen të nevojshme vitet e ardhshme."
Autor: Katharina Bahn /Pandeli Pani
Redaktoi: Eliana Xhani