1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Portugali: Më shumë diell, më shumë tatime

Jochen Faget19 Gusht 2016

Portugalia ngre tatimin mbi pronën. Për shtëpitë në vende të bukura ose me pamje nga deti tatimet rriten deri në 20%.

https://p.dw.com/p/1JlLT
Fotografi: picture-alliance/dpa/J. Kalaene

Fillimisht shumë portugezë kujtuan se ishte ndonjë shaka. Por qeveria e kishte seriozisht: pronarët e shtëpive prona e të cilëve është në vende të bukura ose rrihet shumë nga dielli, duhet të paguajnë më shumë tatime. Në rast se nga ballkoni sheh p.sh. perëndimin e diellit, komunatmund ta rrisin tatimin mbi pronën që paguhet çdo vit deri në njëzet për qind.

"Ne u befasuam plotësisht nga ky veprim", thotë Luís Menezes Leitão, kryetar i Shoqatës së Pronarëve të Shtëpive të kryeqytetit portugez Lisbonës. "Qeveria jo vetëm nuk diskutoi më parë me ne, por e ndryshoi ligjin gjatë pushimeve parlamentare dhe kështu shmangu edhe debatin." Përfaqësuesit e partive të majta që mbështesin qeverinë e pakicës në parlament, e miratuan këtë ligj, dhe madje edhe komunistët i quajtën protestat kundër rritjes së taksave si “absurde”.

Portugal Immobiliensteuer
Fotografi: DW/J. Faget

Kjo është rritja e dytë e tatimit mbi pronën që bëhet mbi bazën e vendit ku gjendet prona. Rritja e parë prej 5% përllogaritej me formulën e përgjithshme të tatimit mbi pronën dhe nuk binte shumë në sy. Por tani është e qartë, kush banon në zonë të mirë apo ka një shtëpi të bukur, duket të paguajë më tepër taksa.

Rrjepje e qytetarëve, jo drejtësi në tatime

Sipas Shoqatës së Pronarëve të Shtëpive kriteret për përcaktimin e taksave janë krejtësisht subjektive dhe punënjësit e zyrës së tatimeve vendosin sipas qejfit dhe gjithmonë në favor të shtetit, ankohet kryetari i shoqatës, Menezes Leitão. Ata shpesh nuk shkojnë fare për t'i parë banesat, por vendosin nga pamjet e Google-Maps. "Qëllimi është për t'u rrjepur edhe më tepër taksa taksapagusve" – thotë ai.

Zyra e Tatimeve ka nevojë për para, sepse për shkak të krizës janë ndërtuar shumë më pak banesa të reja dhe të ardhurat nga tatimi i pronës kanë rënë. Si pasojë është sajuar një sistem i ri qesharak tatimesh, sipas të cilit banesat në katin përdhes të të njëjtës shtëpi tatohen më pak se ato në katet më të larta. Në rast se ballkoni shikon nga varrezat tatimet janë më të ulta, por në rast se pas varrezave duket deti, ato sërish ngrihen.

Kritere subjektive

"Shqetësimi ynë kryesor është subjektivizimi i kritereve", thotë Menezes Leitão. Sipas Shoqatës së Pronarëve të Shtëpive kriteret për përcaktimin e taksave duhet të jenë madhësia, kostot e ndërtimit apo vjetërsia e ndërtesës.

Immobilien Portugal
Fotografi: Imago

Të këtij mendimi janë edhe social-demokratët të opozitë që kërkojnë anulimin e ligjit dhe një debat parlamentar. Por qeveria dhe mbështetësit e saj në parlament nuk duan ta ndryshojnë ligjin.

Për këtë pronarëve të banesave në Portugali, që përbëjnë rreth 70% të popullsisë, u mbetet vetem rruga e ankimit në gjykatë. Por Menezes Leitão, i cili është me profesion profesor i drejtësisë dhe avokat, thekson se shoqata e tij do t'i mbështesë të gjitha përpjekjet, por se proceset kundër shtetit dhe zyrës së tatimeve në Portugali zgjasin për shumë vite dhe janë tepër të kushtueshme.