Projektbuxheti i Portugalisë në Gjykatën Kushtetuese
2 Janar 2013Presidenti Anibal Cavaco Silva tha në fjalën e tij në televizion me rastin e Vitit të Ri, se buxheti i kursimeve i miratuar nga parlamenti në fund të nëntorit zgjoi dyshime në lidhje me korrektësinë e shpërndarjes së barrës së shkurtimeve financiare. Për këtë arsye ai ka kërkuar ndihmën e Gjykatës Kushtetuese. Cavaco Silva pavarësisht nga rezervat e kish miratuar buxhetin të premten (28.12.2012) e kësisoj ai hyri në fuqi natën e ndërrimit të viteve më 1 janar.
"Me hyrjen e buxhetit në fuqi do të shkurtohen të ardhurat e qytetarëve si pasojë e rritjes së taksave dhe shkurtimeve në sektorin social. Të gjithë do të preken, por disa do të goditen edhe më fort se sa të tjerë, gjë që nxit dyshime lidhur me shpërndarjen e barrës së shkurtimeve. Nëse nuk do ta kisha bërë këtë, atëherë vendi do të ishte privuar nga instrumenti i më i rëndësishëm i politikës ekonomike", arsyetoi kreu 73 vjeçar i shtetit.
Në bazë të projektbuxhetit në vitin 2013 do të duhet të kursehen 5,3 miliardë euro, nga të cilat 80 për qind e tyre duhet të sigurohen përmes rritjes së taksave. Portugalia është e detyruar që në këmbim të ndihmave ndërkombëtare financiare të ulë deficitin buxhetor. Ndërkohë kuota e papunësisë në vendin më të varfër të Europës Perëndimore ka arritur së fundi rekordin në rreth 16 për qind.