Protesta: "Çekia kundër varfërisë"
13 Mars 2023Mijëra vetë demonstruan në fundjavë në sheshin e Pragës Wenzelsplatz nën sloganin "Çekia kundër varfërisë". Ata valëvitën flamuj dhe bënë thirrje për tërheqjen e qeverisë liberal-konservatore. Kabinetin qeverisës të kryeministrit Petr Fiala ata e akuzojnë se nuk ka ndërmarrë masa sa duhet kundër rritjes së çmimeve në vend. Demonstruesit kritikuan edhe NATO-n dhe kërkuan ndërprerjen e menjëhershme të ndihmave ushtarake për Ukrainën.
Aksioni i protestave u organizua nga partia e re jashtë parlamentit PRO. "Ne jemi mbledhur për t'u pozicionuar kundër varfërisë", tha kryetari i saj, Jindrich Rajchl. Ai tha, se dëshiron një qeveri, e cila të "kujdeset në radhë të parë për qytetarët çek".
Në fund të demonstratës një pjesë e protestuesve depërtoi në godinën e muzeut kombëtar në sheshin Wenzelsplatzes. Me brohorima protestuesit kërkonin që ta zëvendësonin flamurin ukrainas të vendosur në këtë godinë me atë çek.
Kërkesa për bisedime paqeje
Qeveria e Çekisë duhet të marrë rol ndërmjetësues të konfliktin e Ukrainës dhe të iniciojë bisedime paqeje në Pragë, ishte një ndër kërkesat, që publikuan në internet organizatorët e protestës. Mbështetja për Ukrainën duhet të kufizohet në ndihma humanitare. Një grupim i vogël kundër demonstruesve mbante flamujt e Ukrainës dhe të NATO-s si dhe pankarta me parrulla kundër presidentit rus Vladimir Putin.
Çekia prej një viti po përpballet me një inflacion rekord, që ka të bëjë kryesisht me rritjen e çmimit të energjisë në valën e luftës në Ukrainë. Në shkurt inflacioni ishte 16,7 përqind, gati dy herë më shumë se në Gjermani (8,7 përqind).
wa/ack (afp, dpa)