Për herë të parë vjen në shqip vepra e plotë e shkrimtarit gjerman Georg Bühner
29 Tetor 2010Drama “Vojcek”( Woyzeck) e shkrimtarit gjerman Georg Bühner u vu në skenë nga studentët e dramës, në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, në mbrëmjen e prezantimit të botimit ne shqip te veprës së tij te plotë.
Drama u shkrua në vitin 1836, kur autori ishte 23 vjeç. Ajo përshkruan dramën e një ushtari të thjeshtë, Franz Vojcek, që therr me thikë të dashurën e vet për motive xhelozie. E vënë në skenë 80 vjet pas krijimit të saj, më 1913 në Mynih, ajo mbetet një nga dramat gjermane më të luajtura në skenat e botës. Në Shqipëri ajo u vu në skenë për herë të parë këtë vit nga studentët e Akademisë së Arteve të Bukura.
Ardian Klosi, përkthyes nga gjermanishtja në shqip e veprës së plotë të Georg Bühner, vë në dukje se ai është një autor kaq i rëndësishëm i letërsisë gjermane, saqë pikërisht emrin e tij mban çmimi më prestigjioz letrar i Gjermanisë. Por çfarë e bën Georg Bühner-in një emër të shquar në letërsinë gjermane? Xhveshja e temave dhe personazheve të veta nga ngarkesa romatike, dalja nga klasicizmi tek realizmi, letersia moderne, thotë përkthyesi Ardian Klosi.
“Atij i interesonte bota e njeriut, sado e vrazhdë të ishte ajo. Bühner arrin ta sjellë atë në letërsi, me një vështrim prej mjeku, psikiatri dhe kjo i jep një këndvështrim të veçantë, por gjithsesi talenti është i pashpjegueshëm dhe nuk mund ta thuash pse pati këtë fuqi në një moshë kaq të re. Natyrisht për të dhënë gjeniun Bühner luajti rol dhe ndikoi atmosfera e Europës revolucionare e Francës, ku ai studioi.” thekson Ardian Klosi.
Vepër me vlera aktuale edhe në Shqipëri
Tema e revolucionit, e dhunës, e së keqes, që njeriu i bën njeriut, është temë qëndrore tek Büchner. Kjo temë, vë në dukje përkthyesi Klosi, mbetet aktuale sot e gjithë ditën edhe në Shqipëri..
“Kjo vlen për dhunën në aspektin shtetëror, tek drama tjetër,” Vdekja e Dantonit”, por vlen edhe për dhunën në aspektin privat, familiar, sikurse e ndeshim tek Voycek-u. Sot e gjithë ditën dëgjon në Shqipëri për vrasje me motive xhelozie. Büchner-i e ka marrë personazhin e vet si në një laborator, ka eksperimentuar me psikologjinë e tij, për të kuptuar motivet gjithë sa ndodh tek një njeri, që arrin të bëjë një vrasje. Prandaj ka një vlerë përherë aktuale”.
Besimi tek njeriu
Duke prezantuar vlerat e veprës letrare të Büchner-it, Jürgen Rëhling, nga departamenti i gjuhës gjermane në Universitetin e Tiranës i sheh ato edhe nga këndvështrimi i filologut. Jürgen Rëhling thotë se sot Büchner konsiderohet si autori i parë modern në Gjermani, diçka psh si Shekspiri në Angli, si shkrimtari që modernizoi gjuhën gjermane. Gjuha, që ai përdori, tingëllon bashkëkohore edhe sot e kësaj dite. Ndërkohë që paraqitet krejt i veçantë në dashurinë për qënien njerëzore.
“Büchner beson në qënien humane, beson tek njeriu dhe e respekton atë. Ai gjeti tragjedinë më të thellë tek ushtari Voycek, që ishte një krijesë e përvuajtur, një njeri i thjeshtë. Në kohën, kur ai krijoi, ishin vetëm fisnikët ata, që konsideroheshin të denjë për të vuajtur, kurse njerëzit e thjeshtë ishin të denjë për komedinë”, thotë Jürgen Rëhling.
Vëlllimi i plotë i veprave në shqip të Georg Büchner përmban dy drama “Vojcek” dhe “Vdekja e Dantonit”, komedinë “Leonce dhe Lena”, tregimin “Lenci” dhe pamfletin politik ”Mesagjeri i landit të Hesenit.” Me botimin e tij, lexuesve në shqip u jepet vepra e një gjeniu, që mbetet e vyer dhe aktuale edhe pas më shumë se 170 vitesh nga krijimi saj.
Autor: Ani Ruci
Redaktoi: Angjelina Verbica