Përpjekje e re për vendosjen e kuotës së përfaqësimit të grave
14 Nëntor 2012Për Viviane Reding ky është një sukses i konsiderueshëm, për koncernet e dominuara nga burrat një goditje paralajmëruese. Komisionerja e BE-së për Drejtësinë të mërkurën (14.11.)në mëngjes arriti të kalonte një projektligj sipas të cilit deri në vitin 2020 të gjithë këshillat mbikqyrës të kompanive evropiane të kuotuara në bursë, duhet të kenë 40 për qind të anëtarëve femra. Pas një lufte të gjatë brenda kolegiumit të Komisionit, Reding njoftoi e lehtësuar në profilin e saj në Twitter, në disa gjuhë njëherësh "U bë!". Që kuota e grave e miratuar nga autoriteti në Bruksel të kthehet në ligj duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe më pas nga vendet anëtare.
Vetëm tri javë më parë Reding pati paraqitur propozimin e saj në kolegium dhe pati hasur në kritika të shumta madje edhe nga kolege femra. Disa politikanë në BE janë të mendimit se gjinia nuk duhet të luajë rol në caktimin e pozicioneve drejtuese, por vetëm aftësitë profesionale.
Zbutje e sanksioneve
Për të siguruar mbështetje komisionerja tregoi gatishmëri për kompromis ndaj kritikëve: kështu u hoq nga projektligji kërcënimi për të vendosur një kuotë edhe për bordet drejtuese. Veç kësaj u zbut dhe u saktësua katalogu i sanksioneve, që duhet të përdorin qeveritë e vendeve anëtare. Vendet të cilat kanë që tani rregulla eficiente për mbështetjen e grave, duhet të përjashtohen nga detyrimi i vendosjes së kuotës.
Ligji i miratuar parashikon që firmat t'u japin përparësi grave, kur kandidatët kanë të njëjtin kualifikim dhe kur këshillat mbikqyrës kanë më pak se 40 për qind të anëtarëve femra. Nëse rreth 5.000 sipërmarrjet e kuotuara në bursë në BE nuk i përmbahen këtij rregulli deri në 2020, shtetet anëtare duhet të vendosin sanksione "efektive, frikësuese dhe të matura", për shembull të vendosin gjoba apo të shpallin të pavlefshme përbërjen e këshillit mbikqyrës.
Për sipërmarrjet publike vlen madje një afat më i shkurtër: kuota e caktuar nga Komisioni duhet të arrihet deri në vitin 2018. Firmat me më pak se 250 të punësuar dhe xhiro vjetore jo më shumë se 50 milionë euro janë krejt të përjashtuara nga ky rregull.
Sipas Komisionit të BE-së aktualisht në të gjithë Evropën vetëm 13,5 për qind e anëtarëve të këshillave mbikqyrës janë femra. Në Gjermani kjo quotë është 15,6 për qind në këshillat mbikqyrës, e në bordet drejtuese madje vetëm 4,2 për qind. Sipas projektligjit vendet anëtare duhet të paraqesin çdo vit shifra aktuale dhe Komisioni do të hartojë pastaj një raport.
Arsye për optimizëm
Nga shtetet anëtare vjen qendresë e fortë kundër kuotës për përfaqësimin e grave në këshillat mbikqyrës, veçanërisht nga Britania e Madhe dhe Suedia. Por në Parlament komisionerja Reding mund të llogarisë me mbështetje të fortë. Për komisioneren Reding nuk kishte alternativë për ligjin: të gjitha premtimet e deritanishme apo zotimet nga vetë kompanitë për futjen e kuotës së grave "në parim nuk kanë sjellë asgjë". Gjatë 12 muajve të kaluar kuota e grave me gjithë apelet është rritur minimalisht.
Kritikët tërheqin megjithatë vëmendjen se kuota për këshillat mbikqyrës ka më tepër karakter simbolik, pasi këto instanca nuk janë të përfshira në procesin operativ të firmave.