Rivotim në Maqedoni?
21 Dhjetor 2016Gjykata Administrative ka mbështetur i ka dhënë të drejtë opozitës dhe ka vendosur që të pranojë ankesën e saj për parregullësi në qendrën e votimit në Tearces, në zonën e gjashtë zgjedhore. Ankesa është shqyrëtuar nga një panel prej 5 gjykatësish.
Pas vendimit të Gjykatës Administrative, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve duhet të bëjë simulim nëse rivotimi do të ndikojë në rezultatet e përgjithshme të zgjedhjeve më 11 dhjetor. Sipas rregullores së KSHZ-së, votimi do të përsëritet vetëm nëse numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në atë vendvotim ndikon në rezultatet e përgjithshme. Nëse ka ndikim, do të rivotohet me 25 dhjetor. Dallimi mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së në njësinë e gjashtë zgjedhore është rreth 300 vota në avantazh të partisë së Gruevskit.
"Vendim skandaloz"
VMRO-DPMNE vlerëson se vendimi i Gjykatës është "i kundërligjshëm dhe skandaloz". Nikolla Todorov, në konferencën për shtyp tha se vendimi është sjellë nën presion të LSDM-së, mediave të afërta të kësaj partie dhe disa faktorëve të tjerë nga jashtë.
"Një prej dëshmive më të mëdha për vendimin e kundërligjshëm është fakti që në mënyrë jo standarde për praktikën gjyqësore, në elaborimin e vendimit nuk janë theksuar arsyet konkrete ligjore dhe bazat për shkak të së cilave meret ky vendim. Cilat janë ato parregullsi, për çfarë parregullsishë bëhet fjalë, kjo aspak nuk përmbahet në elaborimin e aktgjykimit”, thekson Todorov. Sipas tij, VMRO-DPMNE mbetet në qëndrimin e publikuar ditë më parë se nuk do të merë pjesë nësa ka rivotim.
"Kthim pas nuk ka"
LSDM kumtoi se në zgjedhjet e 11 dhjetorit qytetarët votuan ndryshimet, votuan "për jetë më të mirë, për paga më të larta, firma më të fuqishme vendore, që paratë të kthehen tek qytetarët, institucionet të punojnë në interes të qytetarëve dhe për të drejtat e të gjithëve."
"Mbi 600.000 qytetarë deklaruan se më nuk ka vend për politikën e Gruevskit, nuk ka krim, nuk ka vjedhje të zgjedhjeve. Republika e Maqedonisë do të ketë qeveri për të gjithë qytetarët. Proceset demokratike kanë filluar dhe nuk ka kthim pas”, thuhet ndër tjerash në reagimin e LSDM-së.
Destabilizimi i Maqedonisë
Për momentin askush nuk mund të paragjykojë se çfarë procese mund të prodhojë bojkotimi i rivotimit. Ekspertët e vendit vlerësojnë se situata merr kahjen e destabilizimit, pasi VMRO-DPMNE konfirmon mospjesëmarrje në rivotim në Tearcë. Analisti smet Ramadani nuk përjashton mundësinë e trazirave të organizuara nga VMRO-DPMNE.
"Ai mund t'i përdorë format tjera, të përdorë bojkotin . Nëse i ka atje votuesit e dëgjueshëm dhe nën kontroll, mund t'i dirigjojë nga lart që të bojkotojnë votimin. Por është shumë interesante se si do të veprojë VMRO-DPMNE-ja, sepse kjo mund të shkaktojë tensione, trazira..."
Profesori Mersim Maksuti kritikon veprimin e partisë së Gruevskit. Bojkoti i rivotimit nuk është zgjidhje e mirë dhe VMRO duhet t'i kthehet rrugës së zgjedhjeve si çelës i vetëm i zgjidhjes së krizës. "Kjo të brengosë. VMRO-ja dhe cilido qoftë subjekt politik duhet të luajë konform rregullave të demokracisë dhe t'i përgjigjet rregullave të saj. Faktori ndërkombëtarë duhet ta bindë VMRO-në që t'i kthehet procesit të zgjedhjeve sespe rrugë tjetër nuk kemi”, shprehet Maksuti.
Ndërsa profesori Denko Malevski thotë se ankesat e partive politike dhe shqyrtimi i të njëjtave nga KSHZ-ja dhe Gjykata Administrative janë pjesë e rregullt e procesit zgjedhor, që duhet të respektohet nga të gjitha palët. Nëse VMRO-DPMNE nuk e respekton vendimin e Gjykatës Administrative për rivotim, do të vihet në pikëpyetje i tërë procesi zgjedhor dhe shteti do të hyjë në spirale të re të krizës.
VRMRO kërcënon
"VMRO-DPMNE kërcënon se do t'i nxjerrë përkrahësit e vet në rrugë për të protestuar. E atëherë kriza do të marrë dimensione tjera. Nëse ka mospranim të rezultateve të zgjedhjeve mund të vihen në pikëpyetje vet zgjedhjet dhe atëherë shteti do të hyjë në një jostabilitet të rrezikshëm” thekson Malevski. Profesori Bashkim Selmani thotë se ndërhyrja e faktorit ndërkombëtarë duhet të jetë e drejtëpërdrejtë, sepse hapi tjetër i Gruevskit është mospranimi i zgjedhjeve. "Në momentin që s'pranon zgjedhjet, kjo shpie në konflikt. VMRO ka zgjedhur rrugën e gabuar. Kjo rrugë do ta dëmtojë ardhmërinë në përgjithësi. Pa ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar situata nuk mund të përmisohet”, shprehet Selmani.