Rumani: Projekte të rëndësishme në fushën e energjisë së prodhuar nga mullinjtë e erës
19 Korrik 2011Erëra të forta dhe programe të fuqishme stimulimi nga ana e shtetit: Rumania mund të shndërrohet në një vend fantastik për energjinë e erës. Që në fillim të vitit 2008, qeveria në Bukuresht ka vendosur një ligj për promovimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë i cili është botuar në Fletoren Zyrtare rumune.
Për shkak se këto plane janë konsideruar si ndihma shtetërore, është i nevojshëm miratimi i Komisionit Evropian. Vetëm këtë verë dokumenti është në Bruksel për t'u nënshkruar. Këto vonesa janë një problem i madh për investitorët në mullinjtë me erë, thotë duke u ankuar Dana Duika, kryetare e Shoqatës rumune të energjisë nga era:
"Ende mungon një kuadër i qëndrueshëm ligjor. Që nga viti 2008, kur u botua ligji për promovimin e energjive të ripërtëritshme, kompani të ndryshme kanë marrë vendime të mëdha për investime. Por tani, vite më vonë, ligji nuk është zbatuar ende. Dhe kjo çon në probleme për financimin e projekteve. "
Por këto probleme fillestare nuk mundën ta ndalojë rritjen e shpejtë të energjisë së erës në një nga vendet më të varfra në BE. Në vitin 2009 ishin instaluar më pak se 20 megavat fuqi kapaciteti nga era, nga fundi i 2011 do të jetë rreth 1.000 megavat. Kjo korrespondon me kapacitet e instaluara të një centrali bërthamor.
Shumica e fermave të erës do të ndërtohet në brigjet e pasura me erë të Detit të Zi. Kompanitë energjetike nga Republika Çeke, Spanja, Portugalia, Italia dhe Austria tashmë kanë investuar shumë.
Energjia e erës e ka potencialin për të furnizuar një të katërtën e rreth 8 milionë familjeve me energji elektrike në Rumani. Përmes centraleve të reja të erës çmimi i energjisë elektrike rumune u rrit këtë vit me 2,3 për qind, thotë Dana Duica nga Shoqata rumune për energjinë e erës.
"Por në perspektivë afatgjatë, energjia e erës do të ketë efekte pozitive mbi konsumatorët. Në fazën fillestare çmimi do të jetë pak më i shtrenjtë, por më pas për të stabilizuar çmimet në fazën tjetër do të jetë edhe më i ulët."
Kjo sepse turbinat e erës nuk shkaktojnë kosto për karburant.
Megjithatë, çmimi për energjinë e pastër të erës është në një vend tjetër edhe më i lartë, thekson ambientalisti rumun Tamas Papp. Nga perspektiva e tij disa nga fermat e mullinjve me erë kërcënojnë biodiversitetin:
"Ne jemi duke u përpjekur për të mbrojtur mjedisin dhe për të luftuar kundër ngrohjes globale, duke ndërtuar turbinat e erës. Kjo është e mirë në vetvete, por turbinat duhet të vendosen vetëm aty ku nuk ka rrugë të rëndësishme për shpendët shtegëtarë, veçanërisht në rajonin e Dobrogeas kjo është shumë e vështirë. "
Kjo sepse nga ky rajon me shumë erë pranë deltës së Danubit, kalon një nga rrugët më të rëndësishme për zogjtë shtegtarë në rrugën e tyre drejt Afrikës. Veçanërisht lejlekët dhe zogjtë grabitqarë janë të rrezikuar nga mullinjtë me erë të ndërtuar tashmë, kritikoi Tamas Papp. Prandaj, ai sugjeron që turbinat e erës për disa javë në vit të mos vihen në përdorim - aq sa zogjtë shtegtarë të kalojnë nëpër rajon në mënyrë të sigurtë.
Autor: Alexandra Scherle / Pandeli Pani
Redaktoi: Esat Ahmeti