Rusia mbyll rubinetat e gazit - Evropa vuan pasojat
7 Janar 2009Në kohën e temperaturave jashtëzakonisht të ulta, Rusia ka ndërprerë në tërësi furnizimin e Evropës me gaz përmes Ukrainës. Gazpromi rus të mërkurën në mëngjes ka mbyllur të gjithë gazpërçuesit, kumtoi shoqëria ukrainase Naftogaz. Ndërsa koncerni rus për këtë hap fajësoi Ukrainën.
Gjermania e varur nga gazi rus
Gati një e treta e gazit në Gjermani importohet nga Rusia. Që të martën janë vërejtur mangësitë e para në furnizim, por ministri i ekonomisë Mihael Glos (Michael Glos), tha se gjendja nuk është keqësuar shumë. Sa i përket mosmarrëveshjeve mes Rusisë dhe Ukrainës, ministri Glos ishte shumë i prerë: "Vetëm një gjë mund të them: Rusia dhe Ukraina duhet të ulen së bashku dhe më në fund të fillojnë t'i përmbushin obligimet për furnizimin me gaz. Nuk mund të them se cila anë ka të drejtë e cila jo, por kam përshtypjen se shumë vende po mbahen si peng e grindjeve mes Rusisë dhe Ukrainës." Ministri bëri të ditur se Gjermania ka rezerva gazi të paktën për tre muaj.
Situatë kritike në vendet e Evropës lindore
Gjendje shumë më e rëndë po mbretëron në disa vende të Evropës Lindore dhe Juglindore. Sllovakia u detyrua të shpallë gjendje emergjence, pasi që nga Rusia ka mbërritur 70 përqind më pak gaz. Situata është e ngjashme edhe në Serbi, Bullgari dhe Hungari. Probleme ka edhe në Itali, Francë dhe Austri.
Presidenca çeke e Bashkimit Evropian, pohon se Rusia dhe Ukraina janë shprehur të gatshme për negociata të reja. Përfaqësuesit e Rusisë të enjten do të takohen në Bruksel edhe me krerët e BE-së. Tema kryesore e takimit është furnizimi me energji.
Akuzat e Rusisë
Rusia akuzon Ukrainën se vjedh sasi gazi për vendet e BE-së. Sipas saj Ukraina se ka marrë ilegalisht prej tubacioneve më tepër se 60 milionë metra kub gaz, që kishin si destinacion BE. Mosmarrëveshja ka të bëjë me pagesën e gazit natyror të transportuar tashmë dhe për çmimin për vitin 2009-të.
BE bën thirrje për zgjidhjen e grindjes
Rusia kërkon të ngrejë në nivelin e tregut çmimet relativisht të ulëta për Ukrainën. BE-ja u bëri thirrje të dyja vendeve, që t'i japin fund sa më shpejt grindjes. Një zëdhënës i Komisionit të BE-së theksoi, se nuk ekziston "ndonjë rrezik i drejtpërdrejtë për furnizimin e qytetarëve të BE-së" me gaz. Por meqenëse 80% e gazit rus në BE vjen përmes Ukrainës dhe meqenëse ndodhemi në "mes të dimrit", Brukseli dëshëron një zgjidhje të shpejtë. Për të bërë presion ndaj palëve në konflikt në Ukrainë po qëndrojnë përfaqësues të Komisionit të BE-së dhe të presidencës çeke.