1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Samiti i G7 po zhvillohet në Kështjellën Elmau

26 Qershor 2022

Krerët e shteteve dhe qeverive të G7 u mblodhën në Alpet bavareze për samitin e tyre. Takimi zhvillohet nën përshtypjen e luftës në Ukrainë. Iniciativat e para mbështetëse për Kievin janë tashmë të njohura.

https://p.dw.com/p/4DGsT
G7 Elmau
Fotografi: Lukas Barth/REUTERS

Në tre ditët e ardhshme, politika botërore do të zhvillohet përballë panoramës së Alpeve bavareze. Në Kështjellën Elmau filloi Samiti i shtatë vendeve industriale demokratike kryesore. Kancelari gjerman Olaf Scholz mirëpriti krerët e tjerë të shteteve dhe qeverive të G7 për takimin e tyre vjetor. Debatet do të fokusohen në situatën ekonomike botërore dhe politikën e sigurisë.

Gjatë samitit, në qendër të debateve do të jenë lufta në Ukrainë dhe pasojat e saj. Vendet e G7-ës pritet të riafirmojnë mbështetjen e tyre për Ukrainën e sulmuar nga Rusia. Scholzi dëshiron të kërkojë mbështetjen e G7-ës për idenë e një "plani Marshall" për rindërtimin e Ukrainës së shkatërruar nga lufta. Në sajë të një plani të tillë, Shtetet e Bashkuara ndihmuan midis viteve 1948 dhe 1952 Gjermaninë dhe shtetet e tjera evropiane të ngriheshin përsëri në këmbë pas gjashtë viteve të luftës.

G7 Gipfeltreffen Schloss Elmau
Fotografi: Leonhard Foeger/REUTERS

Në takimin e G7-ës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan të arrijnë një marrëveshje në parim për propozimin e tyre për një kufi ndërkombëtar për çmimin e naftës ruse. Kjo synon ta detyrojë Rusinë ta shesë naftën e saj në të ardhmen me një çmim shumë më të ulët për blerësit e mëdhenj si India. Kjo mund të funksionojë në mënyrë që Perëndimi t'i lidhë shërbime të tilla si sigurimi i transportit të naftës me pajtueshmërinë me kufirin e çmimeve. Priten premtime konkrete financiare në luftën kundër urisë, e cila është veçanërisht e përhapur në Afrikën Lindore dhe që po përkeqësohet me rritjen e çmimit të drithit për shkak të luftës. Në Elmau do të diskutohet edhe për çmimet e larta të energjisë dhe për mbrojtjen e klimës.

Olaf Scholz dhe gruaja e tij Britta Ernst mirëpritën kryeministrin britanik Boris Johnson dhe gruan e tij Carrie Johnson.
Olaf Scholz dhe gruaja e tij Britta Ernst mirëpritën kryeministrin britanik Boris Johnson dhe gruan e tij Carrie Johnson.Fotografi: BENOIT TESSIER/REUTERS

Bideni për unitetin perëndimor

Samitit i parapriu një takim dypalësh midis Scholzit dhe Joe Bidenit. Presidenti amerikan me këtë rast nënvizoi partneritetin e ngushtë me Gjermaninë dhe kancelarin. "Ne jemi partnerët më të afërt", tha Bideni. Ai siguroi gjithashtu se vendet e G7 do të mbeten të bashkuara përballë luftës ruse kundër Ukrainës. "Ne do të qëndrojmë së bashku". Scholzi foli për një "mesazh të fortë". Presidenti rus Vladimir Putin i ka bërë llogaritë gabim duke pritur përçarje në kampin perëndimor pas sulmit në Ukrainë, shtoi Biden. Presidenti amerikan e falenderoi vazhdimisht Scholzin për punën e tij që nga marrja e detyrës, pa dhënë detaje.

Samiti i G7 në Kalanë Elmau | Joe Biden dhe Olaf Scholz
Përpara fillimit të samitit, Joe Biden dhe Olaf Scholz u takuan kokë më kokë.Fotografi: Jonathan Ernst/REUTERS

Biden njoftoi paraprakisht se vendet e G7 donin të shpallin në samitin e tyre një ndalim të importit të arit rus. Kjo do t'i privonte Rusisë dhjetëra miliarda dollarë të ardhura nga ky produkt i rëndësishëm eksporti. Një zyrtar i lartë i qeverisë amerikane tha në një telefonatë me gazetarët se vendet e G7 do të shpallin zyrtarisht ndalimin e importeve të martën, ditën e fundit të samitit. "Kjo do ta izolojë më tej Rusinë nga ekonomia globale." Ari është produkti i dytë më i rëndësishëm eksportues për Rusinë pas energjisë.

Pesë vende të ftuara në samitin e G7-ës

Përveç Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, G7 përfshin Kanadanë, Britaninë e Madhe, Francën, Italinë dhe Japoninë. Përveç kësaj, po marrin pjesë në samit presidenti i Këshillit të BE Charles Michel dhe presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen. Scholzi ka ftuar gjithashtu pesë vende mysafire - demokraci nga Azia, Afrika dhe Amerika e Jugut: Indinë, Indonezinë, Afrikën e Jugut, Senegalin dhe Argjentinën. "Kuptimi ynë i demokracisë është shumë i kufizuar nëse fokusohemi vetëm në Perëndimin klasik," shpjegoi Scholz për të justifikuar zgjedhjen e tij.

Takimi zhvillohet në një kështjellë të kthyer në hotel me pesë yje në malësinë bavareze Wetterstein. Për shkak të izolimit të tij në rreth 1000 metra mbi nivelin e detit, pranë kufirit me Austrinë, hoteli konsiderohet si vendi ideal për një takim të tillë. Vendi është i rrethuar me kilometra gardhesh të mbrojtura fort.

 

aud/cwo/sti (dpa, afp, rtr)