1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbi-Athen-Kosovë

Niko Anagnosti19 Qershor 2007

Vuk Jeremiç thotë se serbët duan të fillojnë sërish bisedime për Kosovën. Edhe Athina mendon se bisedimet duhen rifilluar

https://p.dw.com/p/AyPA
Dora Bakogianni, Ministrja e jashtme e GreqisëFotografi: Botschaft Griechenland

Përkundër edhe qëndrimit më të fundit të Prishtinës se tani është ora e Kosovës dhe nuk duhen më bisedime të tjera për definimin e statusit shefi i diplomacisë serbe Vuk Jeremiç, që viziton Athinën dhe sot u prit nga homologja e tij greke Dora Bakojani, theksoi edhe një herë me forcë nevojën e një dialogu të ri midis Prishtinës dhe Beogradit duke kërkuar në këtë çështje mirëkuptimin e faktorit ndërkombëtar. "Serbia do të bisedojë, Serbia do të bisedojë tani dhe të arrijmë një kompromis. Në fund kjo do të jetë arësyeja që do të dominojë si e vetmja zgjidhje që do të sjellë stabilitet" tha Jeremiç për të theksuar në vijim se "çdo zgjidhje kompromisi është më e mirë se zgjidhja e imponuar" dhe pasi më parë kishte shprehur kundërshtimin kategorik të vendit të tij ndaj pavarësisë së Kosovës. Në përgjigje të pyetjes së gazetarëve në se Beogradi mund të pranojë si zgjidhje alternative ndarjen e Kosoves, Jeremiç deklaroi: "Serbia nuk është e predispozuar të ofrojë pjesë sovrane të integritetit të saj territorial", siç do të bënte çdo vend demokratik, dhe se e vetmja zgjidhje që mund të pranojë është "autonomia e çdo lloji" dhe vetëm kaq.

Ministria e jashtme greke, nga ana e saj, shprehu menjëherë përkrahjen e Athinës për rifillimin e dialogut shqiptaro-serb por me kusht: "Në qoftë se shprehet dëshira e të dyja palëve për rifillimin e dialogut ne e përkrahim atë, tu jepet një shans i ri" tha Bakojani e cila që në fillim të deklaratës së saj për Kosovën në linjën evropiane shprehu nevojën e aprovimit të një rezolute të re nga Këshilli i Sigurimit: "Dëshira jonë konstante është të arrihet konsensusi i nevojshëm ndërkombëtar që të aprovohet një rezolutë në Këshillin e Sigurimit e cila do të legalizojë plotësisht zgjidhjen e Kosovës, pa fitimtarë dhe të humbur që do të mbajë parasysh interesat dhe shqetësimet e të gjitha palëve dhe do të prodhojë kështu siguri rajonale" tha Bakojani dhe drejtoi apel "për urtësi dhe përgjegjësi nga të gjithë si edhe evitimin e veprimeve të njanshme që do të mund të paragjykonin rezultatin e proçesit politik dhe do të destabilizonin rajonin".

Pra Athina iu përmbajt kursit të saj unik evropian në çështjen e Kosovës pa pasur problem të ndajë me një gjuhë të kujdeshshme diplomatike shqetësimin e përbashkët me Beogradin për reperkusionet që mund të kenë veprimet e njëanshme dhe të ofrojë mbështetjen e saj të kushtëzuar për rifillimin e dialogut. Atë që shprehu pa rezerva ishte përkrahja e plotë e proçesit të integrimit të Serbisë në strukturat euroatlantike për të cilën Jeremiç shprehu mirënjohjen e vendit të tij.