1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbja e vetme në Prizren jeton në kushte të rënda

Refki Alija / Bahri Cani15 Janar 2013

Ajo nuk është larguar nga Kosova as në kohët më të vështira. Vajza e saj Milica është fëmija i parë dhe i vetëm serb që ka lindur në Prizren pas luftës. Evica Gjorgjeviq nuk merr ndihma nga Serbia.

https://p.dw.com/p/17KE4
02 Milica Djordjevic, die einzige serbische Schülerin in Prizren mit dem Kosovo-Beauftragten der serbischen Regierung Aleksandar Vulin. Die Bilder hat unser Korrespondent Refki Alija in Prizren, Kosovo gemacht. Zulieferer: Ivan Djerkovic
Aleksandar Vulin und Milica DjordjeviFotografi: DW

Evica Gjorgjeviq është serbja e vetme që ka lindur fëmijë në Prizren pas luftës dhe ajo nuk është larguar asnjëherë nga qyteti i lindjes - as në kohën e trazirave dhe djegieve. Që nga viti 2004 ajo jeton me asistencë sociale prej 55 eurosh në muaj, të cilat ia jep qeveria e Kosovës. Deri në qershor të vitit 1999, ajo ka punuar në arsim, por nga qeveria e Serbisë nuk merr asnjë para, ndonëse qeveria serbe financon shumicën e bashkëkombasve të saj në Kosovë. Ajo as vet nuk e di pse i janë ndërprerë rrogat nga qeveria serbe.

Lëmosha

„Kam kontaktuar njerëzit në Beograd dhe ua kam dorëzuar të gjithë dokumentacionin që dëshmon edhe qëndrimin tim në bazën e KFOR-it gjerman (në kohën e trazirave në vitin 2004). Kurrë nuk kam marrë ndonjë përgjigje. As vajza Milica nuk merr asnjë ndihmë nga Beogradi, ndërsa mua nuk më japin as rrogën minimale, e cila në Serbi është rreth 11.000 dinarë. Po përpiqem të mbeten në Prizren, por duket se mua dhe Milicën na kanë hequr nga regjistri", pohon Evica.

Ajo me të bijën Milicën, e cila sivjet shkon në klasën e parë si nxënësja e vetme në kishën Shën Gjorgje, për fat të mirë ka mbështetjen e disa njerëzve bamirës. „Kjo është si një lloj lëmoshe, sepse ndryshe nuk do të mund të jetonim. Ne na ndihmojnë njerëz, të cilët sjellin gjëra në manastir. Milicës ndonjë herë i japin para, dhurata, lapsa, fletore, ngjyra për vizatim...", pohon Evica.

Prizren Zentrum. Copyright: DW/Refki Alija Februar, 2012
Panoramë nga PrizreniFotografi: DW

Apeli

Gjendja e Evicës me fëmijë ëshë shumë e vështirë, ndërkohë që përfaqësuesit e pushtetit japin deklarata në media dhe pohojnë se "angazhohen për serbët që jetojnë në Kosovë". „Nuk është fare e lehtë. Në rrethin ku jetojmë Milica dhe unë nuk jeton asnjë serb, janë shkuar të gjithë“, shpjegon ajo.

Evica Gjorgjeviq është me profesion profesore në filozofi dhe sociologji. Ajo kërkon atë që i takon në bazë të ligjeve për punën që ka bërë në shkollë. Por as pas largimit të serbëve të tjerë ajo nuk do të flasë "se po ruan elementin serb në këtë pjesë". „Apeloj tek qeveria serbe dhe ministritë përkatëse që të më japin rrogën minimale që më takon. Kam punuar në shkolla në turnet më të vështira. Gjatë kohës së bombardimeve unë kthehesha në shtëpi diku rreth orës dhejtë të natës. Kam shkuar vet dhe jam përballur me shumë rreziqe. Në kohën më të vështirë kam bërë përpjekje që të mos i ndërpres mësimet për nxënës", vë ajo në dukje.

„Si në gjithësi“

Evica është e dashuruar shumë pas qytetit të saj të lindjes - Prizrenin e bukur. Ajo ende nuk mund ta kuptojë përgjigjen e marrë nga autoritetet serbe në Mitrovicë, kur ka kërkuar ndihmë. Nuk e beson se mund të ndodhin gjëra të tilla.

„Kur kam telefonuar në Mitrovicë dhe u thash se po flas nga Prizreni, personi që punonte aty tha me zë të lartë: 'Tani po na lajmërohet dikush nga gjithësia!'", shpjegon Evica.