1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkollat gjermane në Teheran - Dritare për në Europë

3 Gusht 2011

Si shumica e shteteve të mëdha, edhe Gjermani ka shkolla për fëmijët e ambasadorëve, përfaqësuesve të kompanive të mëdha dhe bashkëpunëtorëve të shoqatave ndihmëse që jetojnë jashtë.

https://p.dw.com/p/129mF
Shkrimtarja gjermano-iraniane Siba Shakib në Berlin
Shkrimtarja gjermano-iraniane Siba Shakib në BerlinFotografi: picture-alliance / ZB

Këto shkolla subvencionohen nga shteti gjerman, por ndryshe nga shkollat në Gjermani, ato janë me pagesë. Aty mund të mësojnë jo vetëm nxënësit gjermanë, por edhe vendasit. Për këta kjo është shpesh një përvojë që i ndjek ata gjithë jetën, siç e tregon rasti i shkrimtares së njohur iraniane, Siba Shakib.

Kur e pyet Siba Shakibën për kujtimet e saj të shkollës ajo përmend autobusin që i transportonte fëmijët në shkollë. «Ishte autobus i verdhë me mbishkrimin «Shkolla Gjermane Teheran». Të gjithë e njihnin dhe e dinin se fëmijët që ishin brenda ishin të veçantë. Kur ne udhëtonim në qytet me të e ndjenim veten ndryshe nga të tjerët.»

Fëmijët iranianë edhe pse në shkolla gjermane, i nënshtrohen rregullave të rrepta në shtëpi

Siba Shakib, e cila sot jeton sa në Nju Jork, sa në Itali e sa në Dubai shkruan romane dhe reportazhe për vende të ndryshme të botës, si për shembull fate grash në Afganistan. Ajo është rritur gjatë viteve 70' në Teheran. E ëma e saj është gjermane, i ati iranian. Familja ishte mirë nga gjendja ekonomike në krahasim me pjesën tjetër të popullsisë dhe i dërgonte fëmijët në shkollën gjermane, asokohe një institucion elitar në Teheran. Vetëm tarifat e regjistrimit mjaftonin për të siguruar që në shkollë do të shkonin vetëm fëmijë nga familje të kamura. Veç kësaj, fëmijët iranianë duhet të kalonin një test të vështirë para se të pranoheshin. Por kur Siba Shakib mendon për kohën e shkollës së saj, ajo thotë se shkolla nuk ishte e rëndësishme për nivelin e lartë mësimor, por sepse ajo shërbente si një dritare kah perëndimi, kah një botë tjetër. Megjithëse e ëma e saj është nga Berlini dhe i ati ka studiuar në Gjermani, në familjen e saj sundonin rregullat e rrepta të familjeve iraniane.


«Mua nuk më linin të dilja në rrugë kur ishte errësuar. Nuk më linin të sillja shok në shtëpi, vetëm shoqe. Nuk më linin të vishesha si shoqet e mia gjermane. Sigurisht që unë dikur fillova të bëja hile. Me një palë rroba dilja nga shtëpia e me të tjera mbërrija në shkollë.»

Shkollë gjermane në Teheran, fëmijët në kohë të lirë
Shkollë gjermane në Teheran, fëmijët në kohë të lirëFotografi: Deutsche Botschaftsschule Teheran/Selbert


Shkolla gjermane në Teheran i njeh nxënësit me një botëkuptim krej tjetër

Në shkollën gjermane rregullat ishin ndryshe: Vajzat dhe djemtë uleshin bashkë në orë të mësimit, bëhej not, gjatë mësimit mund të diskutoje, - të gjitha këto ishin të papërfytyrueshme në shkollat persiane, ku mësimi bëhej ballor dhe nxënësit e pabindur dënoheshin me rrahje. Siba Shakib njihet me një botëkuptim krejt tjetër në shkollën gjermane në Teheran:

«Që fëmijët mund t'ua kthejnë fjalën prindërve e që prindërve nuk u flitet me «ju», që të rinjtë kanë jetën e tyre, shoqërinë e tyre, e që nuk janë të detyruar të rrinë tërë kohën me prindërit, etj etj. Kjo përvojë më ka mbrojtur edhe mua. Po të mos e kisha pasur atë, do të isha bërë një njeri krejt tjetër.»

140 shkolla të tilla ka Gjermania jashtë shtetit. 81 000 nxënës marrin aty mësime sipas planeve shkollore të hartuara për nxënësit që jetojnë në Thüringen, Baden-Württemberg ose në njërin nga 16 landet federale të Gjermanisë. Sigurisht që kontrasti ndërmjet sistemit arsimor gjerman dhe atij vendor nuk është kudo kaq i fortë sa në Teheran. Por shkollat gjermane shihen shpesh edhe si mundësi për të ardhur në perëndim, prandaj edhe ato janë të preferuara, edhe pse mbas atyre amerikane ose angleze. Shkolla ku shkonte Siba Shakib nuk ekziston më. Ajo u mbyll mbas Revolucionit Islamik më 1979. Por që prej disa vjetësh në Teheran është hapur një shkollë e re, shkolla e Ambasadës Gjermane. Kontrasti ndërmjet asaj dhe mjedisit shoqëror e politik në Teheran është edhe më i madh se më parë, thotë Joachim Schneider. Për pesë vjet me radhë ai ka dhënë gjermanisht dhe etikë në shkollën e Iranit, në një periudhë kur gjendja sa vinte e acarohej.

«Unë shoh sigurisht që nxënëset dhe nxënësit tanë influencohen nga terrori dhe frika e shoqërisë dhe u duhet të përtypin shumë gjëra nga përbrenda. Madje ka raste kur ata janë vetë viktimë, sulmohen brutalisht pa bërë gjë e nganjëherë i fusin edhe në burg. Ata kanë përjetuar shumë gjëra të pakëndshme.»

Siba Shakib gjatë prazantimit të librit të saj ""Eskandar" në Hamburg
Siba Shakib gjatë prazantimit të librit të saj ""Eskandar" në HamburgFotografi: Janine Albrecht

Mësuesit gjermanë, misionarë të Evropës për brezat e ardhshëm iranianë

Mësuesi i letërsisë tregon më tej se kur lexon tekste nga iluministët gjermanë, si për shembull "Nathanin e Mençur" të Lessingut që trajton tolerancën fetare, nxënësit atje reagojnë krejt ndryshe nga ata në Gjermani.«Nxënësit janë shumë të zgjuar dhe shumë të vëmendshëm. Kur fëmijët rriten në sisteme të tilla ata janë shumë vigjilentë ndaj ndryshimeve, kapin çdo impuls, çdo sinjal. E aty fillon një debat i gjerë për botëkuptimet e ndryshme njerëzore.»

Mbas pushimeve verore Joachim Schneider nuk do të ketë më të bëjë me fëmijë që maltretohen nga milicia pushtetare. Mësuesit lejohen të japin mësim jashtë shtetit për maksimumi gjashtë vjet. Në Teheran do të shkojë një mësues tjetër, një mësuese tjetër, që do të diskutojë për etikën me nxënësit që jetojnë me rregullat e rrepta të revolucionit iranian, duke e hapur dritaren evropiane edhe për një brez tjetër.

«Një herë një nënë iraniane më pat thënë: Kur ikin mësuesit gjermanë ne qajmë. Atëherë ndjehemi sërish të vetmuar.»


Autor: Mathias Bölinger/ Anila Shuka

Redaktoi: Mimoza Kelmendi