Ministrja gjermane Lührmann në Shkup
17 Janar 2022Vizita e Lührmann-it, në ditën e parë të punës së qeverisë së sapoformuar, ka vlerë të jashtëzakonshme, sepse paraqet edhe afirmim të mbështetjes gjermane për europerspektivën e Maqedonisë së Veriut dhe për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, ka theksuar kryeministri Kovaçevski.
Kovaçevski shprehu falënderim që qeveria e sapozgjedhur e Gjermanisë e udhëhequr nga kancelari Olaf Sholc, zgjerimin e BE me Ballkanin Perëndimor e vendosi lart në programin e koalicionit e veçanërisht që ka theksuar nevojën për të hapur pa vonesë kapitujt e para negociues me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, si hap të ardhshëm i zgjerimit të BE-së ndaj rajonit.
"Maqedonia e Veriut, si vend kandidat i BE-së është integruar seriozisht në politikat kryesore të Brukselit, veçanërisht në Agjendën e gjelbër, e cila ishte nga prioritetet kryesore të Procesit të Berlinit.”
Në takim u diskutua për bashkëpunimin ekonomik me Gjermaninë, shtet nga i cili vijnë investimet më të mëdha. Në të ardhmen vëmendje e veçantë do t'u kushtohet projekteve të burimeve të energjisë së ripërtëritshme.
Vizita e Petkovit - hap drejt gjetjes së një zgjidhjeje
Kovaçevski theksoi se vizitën e nesërme të kryeministrit të Bullgarisë, Kiril Petkov e sheh si një hap drejt gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme reciproke me Sofjen, për të zhbllokuar në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore procedurën për nisjen e një konference ndërqeveritare të Maqedonisë së Veriut me BE.
Lührmann: Inkuadrimi i rajonit në BE - prioritet i Gjermanisë
Kryeministri Kovaçevski dhe ministrja Lührmann u pajtuan se integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor është në interes politik, të sigurisë dhe interes ekonomik të BE, si investim gjeostrategjik për një Evropë stabile dhe me prosperitet.
"Gjermania është serioze për perspektivën e BE-së për të gjitha vendet e rajonit. BE qëndron më vete në raport me Maqedoninë e Veriut. Të gjitha parakushtet për fillimin e negociatave të ndërmjetme janë përmbushur. Negociatat mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me BE duhet të fillojnë, dhe Gjermania ende po e kërkon në mënyrë aktive për këtë”, ka deklaruar ministrja gjermane Anna Lührmann.
Lührmanni thekson se çështjet dypalëshe duhet të zgjidhen në mënyrë dypalëshe, pavarësisht nga procesi në vazhdim me BE-në. Ajo shtoi se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria po punojnë aktivisht për zgjidhjen e bllokadës.
"Maqedonia e Veriut vazhdon të ndjekë rrugën e reformave dhe sundimit të ligjit, që është edhe sinjal në drejtim të BE. Dëshiroj t'ju inkurajoj që të qëndroni në atë rrugë”, u shpreh Lührmann.