1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shpëtimtarët e regjisorit Roman Polanski

Magdalena Gwozdz-Pallokat
18 Tetor 2020

Kush fshihte hebrenjtë gjatë sundimit nazist, rrezikonte jetën. Mijëra vetë megjithatë i hynë këtij rreziku. Për një person shumë të njohur pati së fundmi një vlerësim të vonuar të shpëtimtarëve të tij.

https://p.dw.com/p/3k4Fp
Polen Gleiwitz | Ehrung Familie Buchała | Roman Polanski
Nderimi i familjes Buchala në GlivicëFotografi: Sebastian Przybylski/krkfilm/Calisianin

Për të ngrënë kishte gati gjithmonë patate me kripë, nganjëherë qumësht, në verë herë pas here kërpudha apo boronica. Familja Buchala me tre fëmijë ishte një familje e varfër dhe e thjeshtë që banonte në një shtëpi të vogël, 40 kilometra larg qytetit polak, Krakov. E megjithatë çifti Buchala vendosi, që aq pak sa kishte ta ndante me një djalë hebre, babai i të cilit kishte arritur ta nxirrte në mars të vitit 1943 nga getoja e Krakovit, pasi e kishte prerë gardhin me gjemba me një darë. 9-vjeçari kaloi me radhë në disa familje të ndryshme, deri sa gjeti familjen Buchala. Më vonë ai rrëfen, se „mirësia" që i ofronte Stefania Buchala, nëna e familjes, ishte e habitshme. Çifti rrezikoi jetën, sepse në Poloni  në rast të mbajtjes së hebrenjve të priste dënimi me vdekje. Fëmijët e Stefanias mendonin, se „Romek" ishte vëllai i tyre. Shumë më vonë u bë e njohur, se nga djali i vogël hebre, një ditë u bë i famshmi, regjisori Roman Polanski.

Dy herë pas lufte, Polanski shkoi në fshatin Wysoka, për të kërkuar gjurmët e shpëtimtarëve të tij. Në një autobiografi të mëvonshme ai ka shkruar, se duke parë shtëpinë, nuk e përfytyronte dot më, se si është e mundur, që të jetonin gjashtë vetë në një hapësirë të tillë. Polanski kujton se e përditshmja e Buchalas ishte „një luftë për mbijetesë".

Polen Gleiwitz | Ehrung Familie Buchała | Roman Polanski
Fotografi: Sebastian Przybylski/krkfilm/Calisianin

Romek, "xhaxhai" nga Amerika

Atë që nuk arriti ta bëjë dot Polanski me vite, e realizuan dy regjisorë të rinj, Mateusz Kudła dhe Anna Kokoszka-Romer. Paralelisht me xhirimin e filmit për përvojën e luftës së Polanskit dhe shokut të tij, fotografit të njohur, Ryszard Horowitz, ata filluan të kërkojnë gjurmët e të afërmve të familjes Buchala dhe e gjetën Stanislav Buchalan, nipin e Stefanias dhe Jani Buchalas. Stanislav Buchala as që e dinte, se gjyshërit e tij kishin fshehur Polanskin dhe i kishin shpëtuar jetën. Babai i tij, Ludviku deri në vdekjen e tij në vitin 1999 kishte qenë i bindur, se „Romek" kishte qenë vëllai i tij. Me sa duket prindërit e kishin paraqitur gjendjen të tillë, që të mos rrezikonin familjen. Kurse Stanislav kishte besuar me vite, se kishte në Amerikë një xhaxha me emrin Romek. Nëse do ta kishte lexuar librin e Polanskit, ndoshta mund të kishte kuptuar, se shpëtimtarët e përshkruar aty ishin gjyshërit e tij.

Por vetëm një takim me Polanskin, i siguroi regjisorët, se kërkimi i tyre kishte qenë i suksesshëm. "Kur Stanislav Buchala i tregoi foton e gjyshes, Polanski tha i prekur: Po, ajo është. Ajo më ka shpëtuar jetën", rrëfen producentja e filmit, Anna Kokoszka-Romer, në bisedë me Deutsche Wellen. Udhëtimi i përbashkët në fshat ishte si për Roman Polanskin edhe për Stanislav Buchalan një moment prekës. „Polanski i rrëfeu Buchalas gjithçka për gjyshërit e tij: ku ka qenë shtëpia, me se merrej gjyshi, ku rriteshin mollët dhe kumbullat. Polanski e shoqëroi atë tek rrënjët e tij", thotë Kokoszka-Romer.

Polen Wysoka | Familie Buchała
Familja Buchala, Polanski nuk është në këtë fotoFotografi: Stanisław Buchała, Privatarchiv

Një nderim i vonuar

Pas këtij takimi, Polanski iu drejtua Yad Vashemit, muzeut përkujtimor në Jeruzalem që kujton dhe dokumenton shfarosjen e hebrenjve nga nacionalsocialistët. Regjisori aplikoi për nderimin e Stefanias Buchalas. Polanski shkroi: „Ajo më ofroi strehë dhe rrezikoi jetën e saj dhe të familjes. Ajo ishte një grua e ndjeshme, e butë, që punonte shumë."

75 vite pas Luftës së Dytë Botërore, nipi i Stefanias, Stanislavi e mori medaljen "I drejtë mes popujve" për gjyshen e tij. „Kjo është shprehje e humanizmit më të madh nga ana e gjyshërve të mi", tha Buchala. „Që Polanski e kujton këtë, do të thotë që ai ka kaluar mirë, që ka marrë kujtime të mira." Polanski ishte po ashtu i pranishëm në ceremoninë e dhënies së medaljes në Glivicë. Aty ai rrëfeu, se si kishte qenë dy herë pas luftës në vendin ku e kishte shpëtuar familja Buchala.

Polen Gliwice | Familie Buchała | Roman Polanski
Roman PolanskiFotografi: Andrzej Grygiel/PAP/picture-alliance

„Kush shpëton një jetë njeriu, shpëton botën mbarë"

Kjo familje tani qëndron në një radhë me më shumë se 27.000 të tjerë „Të drejtë mes popujve" në të gjithë botën. Fakti që 7000 prej tyre, pra gati një e treta janë polakë është një shifër imponuese, dhe e kuptueshme, thotë Barbara Engelking, themeluese e Qendrës për Studimin e Holokaustit në Akademinë Polake të Shkencave. Në bisedë me Deutsche Wellen, ajo kujton, se deri në fillimin e Holokaustit, shumica (rreth 3 milionë) e hebrenjve të vrarë jetonin në Poloni. „Do të ishte e çuditshme, nëse në një vend ku kishte kaq shumë hebrenj dhe ku ishte epiqendra e Holokaustit të mos kishte edhe shumë persona që kanë ndihmuar."

Sipas studiueses nuk është e lehtë të tipologjizosh motivet e shpëtimtarëve. Për disa ishte thjesht mundësia për të fituar para, gjë që në shumë raste çoi në shfrytëzimin e hebrenjve. „Por ka pasur edhe motive të tjera, si solidariteti dhe miqësia." Në Varshavë për shembull polakët dhe hebrenjtë para luftës jetonin shumë të lidhur me njëri-tjetrin, kishin miqësi që e mbijetuan edhe kohën e luftës. Me nderimin „Të drejtë mes popujve" kujtohen personat johebrenj dhe organizatat që iu kundërvunë regjimit nazist për të shpëtuar hebrenjtë. Emrat e tyre dhe origjina janë shënuar në Yad Vashem në pllaka përkujtimore. Në medaljen e meritës që ka marrë Stanislav Buchala shkruhet: „kush shpëton një jetë njeriu, shpëton botën mbarë."