Si mund të lindin më shumë fëmijë në Gjermani?
5 Mars 2007Një grua lind mesatarisht 1,3 fëmijë, që do të thotë se po zvogëohet edhe numri i popullatës në këtë vend. Politika tani po përpiqet ta ndryshojë këtë kurs. Ministrja e familjes, Ursula von der Leyen kohët e fundit ka paralajmëruar hapjen e 500.000 vendeve të reja në kopshtet për fëmijët nën tre vjet. Politika ndaj familjes kohët e fundit është shndërruar në një debat të ashpër midis partive në pushtet.
Pa marrë parasysh se cilit krah i përkasin, të djathtëve, të majtëve, të kuqve, të zinjve, të gjelbërve apo të verdhëve - gati të gjithë politikanët e Gjermanisë e kanë zbuluar kohët e fundit sa e rëndësishme është familja. Sipas fjalëve, të gjithë e kanë edhe të njëjtin qëllim: "Kemi nevojë për më shumë fëmijë, por edhe për gra me kualifikim të lartë që punojnë në profesion. Këto gjëra duhet të harmonizohen, sepse në Gjermani aktualisht ka mangësi në këtë drejtim".
Kështu, thotë kryeministri i Saksonisë së poshtme, Kristian Vulf, por si do të menjanohen mangësitë? Këtu ka grindje të shumta. Ministrja e familjes Ursula von der Leyen kohët e fundit ka kërkuar trefishimin e kopshteve për fëmijët nën tre vjet. Për këtë shkak ajo është kritikuar shumë, në radhë të parë nga politikanët e partisë së saj kristianademokrate. Politikanëve konservatorë nuk u pëlqen fare ideja për mbështetjen e prindërve me dy rroga në shtëpi. Lidhur me këto debate, kancelarja gjermane Angela Merkel shprehet se "liria e të zgjedhurit do të thotë që shteti kurrë nuk duhet të përshkruajë se si duhet të vendosin familjet. Ne vetëm duam të krijojmë kushte për prindërit të kenë mundësinë e vendimit. Mundësia e të zgjedhurit në këtë moment nuk ekziston, në veçanti kur bëhet fjalë për fëmijët nën moshën tre vjeçare. Kemi nevojë për ndryshime, sepse në shekullin 21 është ndryshuar edhe stili i jetës."
Kancelarja në këtë mënyrë mbështet ministren e familjes. Shumica e gjermanëve poashtu janë të mendimit se prindërit kanë nevojë për një mbështetje më të fuqishme. Kjo është bërë tani një temë debati edhe në koalicion. Kryetari i socialdemokratëve, Kurt Bek pohon se "e kundërta e politikës është radhitja e dëshirave të shumta pa një bazë të duhur financiare, sepse në këtë rast kemi të bëjmë vetëm me dëshira."
Megjithatë socialdemokratët natyrisht që nuk duan të largohen nga tema e familjes. Reaguan shumë shpejt dhe tani kërkojnë trajtim të fëmijëve gjatë tërë ditës që nga mosha një vjeçare. Ministri i financave, Per Shtajbryk thotë. "Mendoj se duhet shtruar pyetjen nëse janë më të rëndësishme kontributet individuale apo financimi i infrastrukturës për kujdesin ndaj fëmijëve."
Me fjalë të tjera, kërkohet shpërndarje e parave. Socialdemorkatët mendojnë se duhen shkurtuar lehtësimet tatimore për familjet me fëmijë, ndërkohë që janë kundër rritjes së shtesave. Ministrja von der Leyen mendon se ky është gabim.
"Në këtë mënyrë dënohen të gjitha familjet që kanë fëmijë në shkolla, sepse ato nuk mund të përfitojnë më nga trajtimi i fëmijëve nën moshën tre vjeçare. Ndërsa 84 euro më shumë në vit për fëmijët do të thotë se do të kenë ndonjë fletore apo ndonjë laps më shumë." Ministrja tani ka ndërmend të rishikojë të gjitha mundësitë e familjes për të paraqitur deri në verë një koncept të ri financimi.