1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Steinmeier: Gjermaninë mund ta duash vetëm me zemër të thyer

8 Maj 2020

Shënohet 75 vjetori i përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier u bëri thirrje gjermanëve të jenë vetëkritikë dhe të ndërgjegjshëm.

https://p.dw.com/p/3bwEp
75. Jahrestag Ende zweiter Weltkreig - Angela Merkel, Wolfgang Schäuble und Frank Walter Steinmeier
Fotografi: Reuters/H. Hanschke

"Këtë vend mund ta duash vetëm me zemër të thyer", deklaroi Steinmeier, në manifestimin e festimit qendror në Berlin. "Historia gjermane është një histori e thyer - e ngarkuar me përgjegjësi për vdekjen dhe për vuajtjet e miliona njerëzve", theksoi Presidenti, duke shtuar: "Kjo ta thyen zemrën."

Gjermanët duhet ta shikojnë historinë e tyre "në sy", paralajmëroi Presidenti. "Marrja e përgjegjësisë historike ka rezultuar me mirëbesimin e popujve të tjerë ndaj vendit tonë. Ndaj edhe ne këtu në Gjermani mund t'i besojmë Gjermanisë sonë." Këtu bën pjesë edhe "patriotizmi i pastër dhe demokratik", theksoi Steinmeier.

Rrugë e gjatë dhe e vështirë

75. Jahrestag Ende zweiter Weltkreig - Frank Walter Steinmeier
Fotografi: Reuters/H. Hanschke

Presidenti foli për "një rrugë të gjatë dhe të dhimbshme", deri sa gjermanët nuk e pranuan fajin. "Kanë kaluar dekada të tëra përderisa njerëzit e brezit tim, gradualisht janë pajtuar me këtë vend". "Çlirimi ndodhi në vitin 1945 nga fuqitë e tjera. Çlirimi është dashur të vijë nga jashtë, sepse ky vend ka qenë tepër thellë i futur në paragjykimet e veta. Por gjermanët më pas e kanë marrë përgjegjësinë që u takon për këtë çlirim", theksoi Steinmeier. Presidenti nënvizoi se gjermanët duhet të kenë parasyshë këto arritje dhe duhet t'i ruajnë.

Ai që nuk e pranon fajin dhe nuk është i gatshëm të jetojë me këtë, por kërkon që gjërat të nënvizohen dhe të fillohet nga e para, ai rrezikon të futet në katastrofa të reja si ajo e diktaturës së nacionalsocializmit, paralajmëron Steinmeier. "Mospranimi i përgjegjësisë është turp - mohimi i përgjegjësisë është turp!"

Dita e çlirimit - ditë e falënderimit

75. Jahrestag Ende zweiter Weltkreig - Angela Merkel
Fotografi: Reuters/H. Hanschke

"Po, ne gjermanët mund të themi sot se dita e çlirimit është një ditë e falënderimit. Tri gjenerata ka zgjatur deri sa këtë mund ta themi nga zemra", nënvizoi Presidenti. Steinmeier kërkoi edhe unitet evropian në këtë kohë të pandemisë me virusin Corona. "Nëse Evropa dështon, do të dështojë edhe pohimi 'Kurrë më!'"

Gjermania është shndërruar gjatë dekatave të fundit prej një rrezikuesi në një mbrojtës të rendit ndërkombëtar, në një mbështetës të fuqishëm të bashkëpunimit multilateral. Pa e përmendur Presidentin Donald Trump, Presidenti gjerman tha: "Ne nuk duhet të largohemi nga vlerat e arritura. Ne duam më shumë, e jo më pak bashkëpunim në botë." Në ceremoninë qendrore ishte edhe kancelarja gjermane Angela Merkel. 

Ndërsa ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së paqës dhe rendit botëror. "Mbështetja e zgjidhjeve globale, multilateralizimit, ka bazat e veta tek e kaluara dhe tek shkatërrimi i nacionalizmit". Maas mori pjesë këtë të premte edhe në një takim virutal të KS, ku theksoi mbështejen gjermane të institucioneve ndërkombëtare.