120109 Israel Palästinenser Gaza Ägypten
12 Janar 2009Armata izraelite sipas të dhënave të gjeneralit, Avi Benajahu ka dërguar në Rripin e Gazës që nga dita e dielë edhe njësitë rezervë në luftën kundër Hamasit . Televizioni arab "Al Jazeera" njofton, se edhe të hënën në mëngjes janë dëgjuar shpërthime të fuqishme. Helikopterët po fluturojnë pa ndërprerë. Këmbësoria izraelite dhe tanket janë futur në brendësi të qytetit Gaza, ku po zhvillojnë luftime të ashpra me luftëtarët e Hamasit.
Presidenti izraelit Shimon Peres është i kënaqur me rezultatet e ushtrisë, në 16 ditët e luftës: "Janë dashur të zhvillohen shtatë luftëra, derisa arabët të kuptonin se Izraeli nuk mund të frikësohet me luftë. Tani është kaluar në terror, ndërkohë që ne duhet t'u tregojmë terroristëve se Izraelin nuk mund ta mundin as me këto mjete. Ushtria kësaj radhe është në nivelin më të lartë.“
Shpresat për armëpushimin po shtohen
Ndonëse makineria e luftës gjendet aktualisht në vlugun më të madh, po shtohen sinjalet për përfundimin e luftës. Qeveria egjiptiane i ka arritur rezultatet e para në negociatat me Hamasin dhe Izraelin. Hamasi ka rënë dakord për vendosjen e armëpushimit sa më parë të jetë e mundur, njoftojnë agjencitë e lajmeve. Në negociatat e Kajros po marrin pjesë dy përfaqësues të Hamasit, ndërsa në Damask tre. Osama Hamadan në Liban kumtoi se janë shënuar disa përparime të rëndësishme. Ndërsa qeveria egjiptiane do të vazhdojë negociatat edhe sot.
Shumë politikanë izraelitë pohojnë se ushtria izraelite i ka arritur qëllimet e parashtruara në Rripin e Gazës. "Po i afrohemi qëllimeve të parashtruara", deklaroi kryeministri Ehud Olmert.
Edhe më i qartë ishte Zëvendësministri i Mbrojtjes, Matan Vilnai: „Ekziston një Rezolutë e OKB-së si dhe angazhimi i fuqishëm i Egjiptit. Rezoluta nuk ofron ndonjë hapësirë të madhe manovrimi, prandaj mendoj se jemi shumë afër përfundimit të ofensivës tokësore. Mendoj se i kemi arritur qëllimet e parashtruara para dy javësh. Hamasi ende nuk e ka kuptuar sa fort është dëmtuar."
Ushtria izraelite e vlerëson të suksesshëm operacionin në Gazë
Ushtria izrealite e sheh si sukses faktin që nga territori palestinez po shkrepen gjithnjë e më pak raketa kundër territoreve izraelite. Numri i raketave të shkrepura është zvogëluar me 50 %, kumtoi ushtria. Të dielën nga pozicionet palestineze janë shkrepur vetëm 22 raketa.
Nga këndvështrimi izraelit, edhe vizita e Ministrit të Jashtëm gjerman Steinmeier paraqet një hap drejt armëpushimit. Steinmeier u ka ofruar qeverive në Kajro dhe Jerusalem ndihma për kontrollimin e kufirit me Rripin e Gazës, me qëllim parandalimin e kontrabandës me armë. Ministrja e Jashtme izraelite, Zipi Livni, falënderoi homologun e saj gjerman, por: „Jam e mendimit se nuk do të ketë zgjidhje diplomatike, përderisa çmimi është dialogu me Hamasin. Unë nuk do të fotografohem me Hanijen në Shtëpinë e Bardhë dhe nuk do t'ia shtrij dorën në OKB. Kjo nuk do të ndodhë, sepse Hamasi është organizatë terroriste.“
Livni e shfrytëzoi paraqitjen e përbashkët me Ministrin e Jashtëm gjerman edhe për fushatë elektorale, sepse me 10. shkurt në Izrael do të zgjidhet një parlament i ri.