1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Superburokratë apo superpolicë? - 15 vjetori i Europol-it

Peter Heilbrunner16 Shkurt 2009

Europoli ndjek që prej 15 vjetësh krimin e organizuar. Kjo organizatë që u themelua në vitin1994 në Hagë ka sot 600 punonjës nga 27 vende. Vetëm përndjekje dhe arrestime Europoli nuk lejohet të kryejë.

https://p.dw.com/p/GvEd
Logoja e Europolit

Europol - kjo tingëllon si superpolici evropiane, si njësi elitë, si FBI për Evropën. Por asgjë të përbashkët me këto nuk ka Europoli, kjo polici evropiane me rezidencë në Hagë.


Europoli është më tepër një lloj burse lajmesh dhe informacionesh për policinë e 27 vendeve anëtare të BE-së, gjithnjë e më shumë edhe një lloj qendre koordinuese, siç deklaron shefi gjerman i Europolit, Max- Peter Ratzel: "Tek Europoli unë kam përparësinë e madhe, se i kam bashkuar nën një çati këto shtete të ndryshme dhe se nuk më duhet të nis katër konsulta të ndryshme në katër shtete, ndoshta edhe në gjuhë të ndryshme. Të gjithë janë mbledhur në një godinë, në rast nevoje edhe në një zyrë, ku zhvillohen në mirëbesim, me shpejtësi dhe me efikasitet konsultat e ndryshme."


Ratzel-i kryeson që prej vitit 2005 Eurpolin. Pak muaj pas atentateve të Madridit e nisi ai punën në Hagë, më pak se një vit pas rritjes së BE-së me 10 anëtarë të rinj. Dhe Europoli u rrit fuqishëm. Ai që filloi në vitin 1994 me një grup policësh, doganierësh dhe mbrojtësish të kufirit, u kthye 15 vjet më vonë në një aparat me 600 punonjës. Tendenca: në rritje.


Por ai që rritet është jo vetëm numri i të punësuarve, edhe detyrat bëhen gjithnjë e më të gjera. Puna filloi me kompetencën për luftimin e drogës dhe larjes së parave, pastaj kompetencat u zgjeruan në të gjitha format e kriminalitetit të organizuar. Sot Europoli bën hetime kundër rrjeteve të pornografisë për fëmijë dhe celulave terroriste: "Është gabim që ta drejtosh vështrimin vetëm nga një shtet, sepse ne nuk e dimë saktësisht, se në cilin shtet anëtar kryhen përgatitjet planifikuese, ku bëhet mbledhja e parave, ku ka një lloj mbështetjeje në sferën politike ose në skenën e simpatizantëve. Ne thjesht duhet t'i këmbejmë këto informacione, për t'i bërë të gjithë që t'i dallojnë herët simptomat, dhe para së gjithash të parandalojnë rreziqet."


Mbrojtësit e të dhënave personale kanë problem të madh me Europolin. Ata ankohen që të dhëna personale transportohen gjithnjë e më shumë nga pika A në pikën B, pa u mbrojtur këto të dhëna si duhet. Prandaj, i Ngarkuari Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Peter Hustinx kërkon që fillimisht të krijohet një kuadër juridik për mbrojtjen e të dhënave, pastaj të zgjerohen kompetencat e Europolit.



(AUD/VFB)