Takim i nivelit të lartë midis evropianëve dhe afrikanëve
28 Gusht 2017Si mund të kufizohen lëvizjet migratore nga Afrika për në Evropë? Kjo pyetje është në qendër të të ashtuquajturit takim i vogël i nivelit të lartë në Paris. Me ftesë të Presidentit francez Emmanuel Macron, Kancelarja Angela Merkel do të diskutojë me kryetarët e qeverive të Romës dhe Madridit, Paolo Gentiloni dhe Mariano Rajoy, si dhe me të Ngarkuarën me Politikën e Jashtme të BE, Federica Mogherini në Pallatin Elizee me përfaqësues të Libisë, Çadit dhe Nigerisë. Qeverinë tranzitore të njohur ndërkombëtarisht në Libi e përfaqëson në takim kryeministri Fajis al-Saraxh, për Çadin Presidenti Idriss Deby dhe për Nigerinë, kryetari i shtetit, Mahamadou Issoufou. Të tria këto shtete afrikane ndodhen përgjatë rrugës së migrimit për në Evropë.
Shifrat e refugjatëve kanë rënë
"Këto diskutime do të ofrojnë shansin për të ritheksuar mbështetjen e Evropës për Çadin, Nigerinë dhe Libinë në kontrollin dhe në administrimin e drejtuar të rrymave migratore", bëri të ditur paraprakisht zyra e Macronit në Paris. Merkeli tha në një intervistë në Podcast se synimi është "reduktimi hap pas hapi i migrimit ilegal".
Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare për Migrimin, këtë vit përmes Mesdheut në Evropë kanë ardhur 120.000 njerëz, shumica e tyre kanë ardhur në Itali. Por në muajt e verës korrik dhe gusht, megjithatë numri i refugjatëve të ardhur përmes Mesdheut, ra dukshëm. Në krahasim me një vit më parë, këtë muaj e arritën bregdetin italian rreth 90 përqind më pak refugjatë, bën të ditur Ministria e Brendshme Italiane. Deri në 25 gusht, në Itali mbërritën 2932 migrantë, një vit më parë qenë 21.294 refugjatë.
Roja bregdetare libiane e lidh pakësimin e numrit të refugjatëve me kontrollet më intensive në Mesdhe. Por ekspertët besojnë se ulja e numrit ka të bëjë edhe me shfaqjen e një milicie të armatosur në Bregdetin e Libisë, e cila pengon punën e trafikantëve të njerëzve.