Thaçi uron Trumpin dhe falënderon Clintonin
9 Nëntor 2016Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pasur në karrierën e tij raporte të ngushta me kandidaten demokrate për presidente, Hillary Clinton. Thaçi mund të shihej madje edhe në spotin zgjedhor të kandidates demokrate. Por pas bërjes publike të rezultatit zgjedhor, presidenti Thaçi tha se "miqësia e përhershme ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së është bazamenti mbi të cilin do të vazhdojë thellimi i bashkëpunimit dypalësh”.
"Duke qenë i vetëdijshëm për rolin udhëheqës të SHBA në arenën ndërkombëtare, jam i bindur se presidenti i zgjedhur, me përgjegjësinë më të lartë, do t'i adresojë sfidat e shumta në nivel global", theksoi Thaçi duke shtuar se "miqësia e përhershme ndërmjet dy vendeve dhe popujve janë bazë e thellimit të bashkëpunimit dypalësh".
Favorizimi i Hillary Clinton
Presidenti i Kosovës thotë se "sekretares Clinton do t'i jetë gjithmonë mirënjohës për mbështetjen e saj të vazhdueshme për popullin dhe shtetin e Kosovës”. Mediat e Kosovës gjatë gjithë fushtës zgjedhore për President të SHBA-së, shkruanin për lidhjet historike të Kosovës me SHBA-së, sidomos me administratën e ish-presidentit Bill Clinton, veçanërisht për rolin e tij për çlirimin e Kosovës. Në qendër të Prishtinës është i ngritur edhe busti i presidentit Clinton, në shenjë falënderimi për mbështetjen në kohën e luftës dhe për kontributin e tij për çlirimin e Kosovës. Vetë kandidatja demokrate Hillary Clinton ka vizituar disa herë edhe Kosovën, të cilën e kanë vizituar edhe figurat tjera të rëndësishme të demokratëve, presidenti Barack Obama, zëvendëspresidenti Joe Biden dhe sekretari i Shtetit John Carrey.