Kosova shkon në Bruksel e gatshme për marrëveshje
28 Mars 2013Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, shpreson që në takimin e 2 prillit në Bruksel ndërmjet tij dhe kryeministrit të Serbisë serb Ivica Daçiq, do të tregohet "vullnet dhe përgjegjësi për rrethanat, kushtet dhe ambientin e ri dhe Serbia të kuptojë dhe të tregojë gatishmërinë e saj për fqinjësi të mirë edhe me Kosovën." Kryeministri Thaçi, gjatë gjithë javës ka takuar liderët e partive politike parlamentare, presidenten, ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe aktrë të tjerë të politikës kosovare, për t'i njoftuar mbi ecurinë e takimeve të deritashme me Serbinë dhe për pritjet nga takimi i radhës me kryeministrin serb Ivica Daçiq.
Nuk ka status special për veriun
Kryeministri Thaçi duke folur para deputetëe të kuvendit të Kosovës (28.03.2013) theksoi se takimi i 2 prillit në Bruksel do të jetë vendimtar për arritjen e marrëveshjes me Serbinë, por ai rikujtoi se nuk do të ketë "asnjë marrëveshje që del jashtë Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës".
"Nuk do të lejojmë që të riciklojnë në Kosovë modelet e dështuara të rajonit, si për shembull 'Republika Serpka', apo ndonjë ndarje e Kosovës, autonomi, status special, status të veçantë, apo ndonjë model tjetër", tha kryeministri.
Kosova shkon në Bruksel e gatshme për marrëveshje
Kryeministri Thaçi tha se "Kosova shkon në Bruksel e gatshme për marrëveshje, që përfshin jo vetëm çështjen e asociacionit të komunave serbe dhe shpërbërjen e pakusht të strukturave paralele, por edhe çështje të tjera shumë të ndjeshme si ajo e personave të pagjetur, telekomunikacionit, energjetikës e të tjera.
Mbështetje kryeministrit Thaci, i kanë dhënë edhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it, në Prishtinë. "Integrimi i pjesës veriore të Kosovës do të bëhet duke respektuar plotësisht kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe integritetin e sovranitetin territorial të saj", citohen në një deklaratë të qeverisë së Kosovës ambasadorët e vendeve më të industrializuara.
Serbia nga ana e saj, ka kërkuar që Asociacioni i Komunave serbe në Kosovë të ketë përgjegjësi ekzekutive, saktësisht në gjyqësorin, policinë, planifikimin hapësinor, shëndetësinë dhe arsimin. Mirëpo, këto kërkesa janë kundërshtuar nga Prishtina.
Serbia kërkon kompetenca ekzekutive për komunat serbe
Zëvendëskryeministrja e qeverisë së Serbisë për integrime evropiane, Suzana Grubjeshiq, ka thënë për mediat lokale serbe se "asociacioni i komunave serbe në Kosovë duhet të ketë përgjegjësi precize ekzekutive. Ne kemi hyrë në bisedime me synimin për të arritur marrëveshje, e cila është e qëndrueshme dhe e cila mund të zbatohet. Për aq sa do të jetë e mundshme, ne do të jemi konstruktivë dhe fleksibël. Nëse edhe Prishtina sillet njësoj si Beogradi, besoj se më 2 prill do të arrijmë marrëveshje", ka thënë Grubjeshiq.
Presion ndaj të dyja palëve
Analistët politik në Prishtinë, ndërkaq thonë se bashkësia ndërkombëtare po bën presion ndaj Beogradit dhe Prishtinës, që më datën 2 prill 2013 të arrihet një marrëveshje. Shpend Kursani, analist nga instituti për hartimin e politikave zhvillimore, KIPRED, thotë se "për sa kohë që Prishtina zyrtare nuk ka lëshuar pe për çështjen e veriut të Kosovës, Serbia vazhdimisht është lëkundur në qëndrimin e saj. "Në qoftë se Kosova nuk pranon të bisedojë për veriun dhe nuk lëshon pe, atëherë është Serbia ajo që është duke u ngutur për të marrë datën e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE, ndaj është Serbia së cilës duhet t'i bëhet presion. Pra kjo po shihet edhe tash që Serbia është në presion", thotë Shpend Kursani.
Sidoqoftë, kryeministri Hashim Thaçi, thotë se ai më 2 prill shkon në Bruksel me shpresën që të arrijë marrëveshje me Serbinë, ndërsa, tha se e ka marrë zotim nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Ramussen për sigurimin e zbatimit të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri Thaçi pret që edhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së të përgatisë një rezolutë të re, përmes të cilës do ta bëjë Kosovën 'si një shtet paqedashës' anëtare të OKB-së", thotë ai.