Thaçi: Prekja e kufijve të Kosovës do të thotë ndryshim i kufijve të rajonit
3 Gusht 2011Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në mbledhjen urgjente të qeverisë muzgun e së martës ka thënë se ne takimin me z. Robert Kuper, përsëri është prezantuar qartë qëndrimi i Prishtinës për dialogun me Serbinë.
"Për Prishtinën janë shumë të qarta vijat e kuqe për dialog, respektimi i plotë i kushtetutës dhe rezolutave të Kuvendit të Kosovës, respektimi i plotë i sovranitetit dhe integritetit territorial dhe rregullimit të brendshëm nuk mund të jetë në asnjë rrethanë pjesë e ndonjë dialogu. Rregullimi i brendshëm i Kosovës është i përcaktuar qartë me kushtetutën e Kosovës, ligjet e Kosovës dhe Dokumentin e Presidentit Ahtisari“, ka thënë kryeministri Thaçi, sipas të cilit prekja e kufijve në Ballkan do të thotë ndryshim i përgjithshëm i hartës së rajonit.
Çdo shtet në rajon e ka nga një problem të quajtur Mitrovicë
“Prekja e kufijve të Kosovës edhe për shtetin e Kosovës definitivisht nënkupton prekjen e kufijve në gjithë rajonin. E rajoni ynë dhe çdo shtet brenda tij e ka nga një problem që quhet Mitrovicë“.
Ndërkohë, Zyra e Kfor-it për Komunikim me Publikun ka bërë të ditur se mbrëmë, afër kampit të KFOR-it në fshatin Sllatinë të Leposaviqit, komandanti I KFOR-it gjenerali Erhard Bühler ka pasur një takim të shkurtër me përfaqësuesit e qeverisë serbe, Borislav Stefanoviq dhe Goran Bogdanoviq.
Edhe 550 trupa të Bundesverit në Kosovë
“Shkëmbimi i shkurtër dhe joformal i pikëpamjeve të komandantit Bühler me të dërguarin e posaçëm Borislav Stefanoviq dhe ministrin Goran Bogdanoviq afër kampit të KFOR-it u kushtëzua me largimin e protestuesve nga rruga, të cilët me kërkesën e zyrtarëve serb liruan rrugën”, thuhet në këtë komunikatë, në të cilën bëhet e ditur se pas këtij „shkembimi joformal“mund të ketë edhe një takim tjetër. Detajet e bisedws nuk u bene te ditura per media.
Pas aksionit të forcave speciale të Policisë së Kosovës për të vënë nën kontroll pikat kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës si dhe eskalimit të situatës, Republika Federale e Gjermanisë, si përgjigje të kërkesës së NATO-s do të dërgojë 550 trupa shtesë për të monitoruar paqen në Kosovë.
Autore: Ajete Beqiraj
Redaktoi. Esat Ahmeti