1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Elon Musk arrin pasuri rekord mbi 400 miliardë dollarë

Anila Shuka (me materiale nga agjencitë)
12 Dhjetor 2024

Elon Musk arrin pasuri mbi 400 miliardë dollarë, një rekord botëror, duke përfituar nga Tesla dhe SpaceX.

https://p.dw.com/p/4o2ST
Elon Musk duke kërcyer me duart lart pas Donald Trump gjatë një tubimi në Butler, Pennsylvania, më 5 tetor 2024.
Musk, tani miliarderi më i pasur i të gjitha kohërave, ka dhënë historikisht shumën më të madhe të parave në fushatën e Donald Trumpit. Pamje nga një miting në Pensilvania, tetor 2024Fotografi: Jim Watson/AFP

Elon Musk, sipërmarrësi i teknologjisë së lartë dhe njeriu më i pasur në botë, ka arritur një pasuri prej mbi 400 miliardë dollarësh, raportoi të mërkurën agjencia e lajmeve Bloomberg. Ky është një rekord i paparë në historinë e ekonomisë globale.

Rritja e pasurisë së tij vjen si rezultat i fitores së Donald Trump-it në SHBA.  Aksionet e prodhuesit të makinave elektrike Tesla, i cili drejtohet nga Musk, janë rritur me mbi 65% që nga fitorja zgjedhore e Donald Trump më 5 nëntor. Sipas Bloomberg, në rritjen pasurisë gjigante ka luajtur rol edhe blerja aksionesh nga kompania hapësinore SpaceX, gjithashtu e drejtuar nga Musk. Bloomberg raportoi se pasuria e tij ka arritur në 440 miliardë dollarë (419,18 miliardë euro).

Rekord donacionesh për Trump

Elon Musk ka kontribuar në fushatën e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, me 270 milionë dollarë, duke u bërë donatori më i madh në historinë politike të Shteteve të Bashkuara. Në shenjë mirënjohjeje, Trump e ka ngarkuar Musk, sikurse edhe një sërë mbështetës të tjerë të fushatës së tij,  me drejtimin e një departamenti të ri për qeverisje efikase.

Ky bashkëpunim i ngushtë mes Muskut dhe administratës Trump ngre shqetësime për konflikte të mundshme interesi, veçanërisht duke pasur parasysh lidhjet e SpaceX me qeverinë amerikane.

SpaceX është e angazhuar në projekte të rëndësishme, si dërgimi i satelitëve ushtarakë në hapësirë dhe transporti i astronautëve në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar. Sipas "New York Times", kompanitë e Musk kanë marrë kontrata publike në vlerë prej tre miliardë dollarësh (2,85 miliardë euro) vetëm vitin e kaluar.