Trump me tone të reja në krizën e Coronës
22 Korrik 2020"Me gjasë për fat të keq do të kemi përkeqësim, para se të bëhet më mirë", u shpreh presidenti amerikan, Donald Trump në komunikimin e parë me median për Coronën që nga prilli. "Këtë nuk e them me dëshirë për gjërat, por është kështu", theksoi Trump. Aktualisht situata është më e përkeqësuar në Jug dhe Perëndim, por virusi "mund të përhapet më tej", paralajmëroi ai.
Kjo deklaratë shenjon një ton tërësisht të ri të Trump të përdorur në krizën e Coronës. Më parë presidenti e kishte minimizuar problemin duke e paraqitur si problem të kufizuar të zonave të caktuara dhe kishte kërkuar rihapjen e ekonomisë dhe shkollave. Presidenti siguroi, se qeveria e tij po i ndihmon shtetet e prekura federale. Qëllimi është jo vetëm të zbutet pandemia, por "edhe të hiqet qafe". Për këtë ai punon ngushtë me guvernatorët. "Mendoj, se jemi të gjithë përgjegjës", tha Trump.
"Ajo ka efekt"
Për herë të parë, Trump kërkoi nga qytetarët amerikanë të mbajnë maska. Duhet të mbahen maska aty ku nuk respektohet dot distanca, tha ai. Pavarësisht, nëse e pëlqeni maskën apo jo, "ajo ka efekt, ka thën Trump." Më parë presidenti amerikan i kishte vlerësuar maskat si simbol dobësie.
Zhvillimet dramatike të pandemisë në SHBA e kanë vënë nën presion të madh presidetin Trump. Kohët e fundit numri i infektimeve të reja me Corona lëviz nga 60.000 në 70.000 vetë në ditë në SHBA. Më të prekura janë shtetet e Floridas, Georgias, Arizonës, Teksasit, Kalifornisë. Trump e cilësoi situatën aty si "shqetësuese". Dy të tretat e amerikanëve nuk i besojnë politikës së Trumpit në kohën e krizës, afër tre muaj para zgjedhjeve.
Sipas Trump votuesit do ta vlerësojnë atë dhe qeverinë e tij më 3 nëntor për mënyrën e veprimit gjatë pandemisë, por jo vetëm. Sipas Trump, ata do të masin politikën e tij edhe me shifrat "rekord" në tregun e punës, gjendjen e ekonomisë, uljen e tatimeve dhe forcimin e ushtrisë.
la/wa/cw (dpa, afp)