Turqi: 27 vjet për gazetarin Can Dündar
23 Dhjetor 2020Can Dündar duhet të vuajë 18 vjet dhe nëntë muaj burg, sepse, sipas mendimit të gjykatësve, ai kishte marrë sekrete shtetërore me qëllim spiunazhi ushtarak dhe politik. Gjykata e dënoi Dündarin edhe me tetë vjet e nëntë muaj burg të tjera, për mbështetje terroriste, sipas protokollit. Ai u lirua nga akuza për bërjen të njohur të informacionit sekret. Gjykata urdhëroi gjithashtu që Dündari të arrestohet sërish.
Avokatët e gazetarit turk e bojkotuan gjyqin. Ata thanë se nuk dëshironin të legjitimonin një gjykim që tashmë ishte vendosur politikisht.
Zemërimi i Presidentit
Fillesën gjyqi kundër Dündarit e ka te një informacion gazete në vitin 2015, në të cilin gazeta kritike për qeverinë "Cumhuriyet" publikoi informacionin sekret, që supozohej të dëshmonte dorëzimin e armëve të qeverisë për kryengritësit në Siri. Si kryeredaktor i "Cumhuriyet", Dündar mblodhi zemërimin e presidentit turk. Rexhep Tajip Erdogani e akuzoi Dündarin si "agjent" që zbuloi "sekretet shtetërore". Vitin pasues, gazetarin e dënuan me më shumë se pesë vjet burgim për nxjerrje sekreti, por u lirua nga akuzat e spiunazhit.
Gjykata e Lartë në Ankara, megjithatë, e anuloi vendimin në 2018 dhe deklaroi se një proces i ri gjyqësor kundër Dündarit duhet të përfshijë edhe spiunimin. Kohët e fundit gjykata e kishte shpallur Dündarin në arrati. Në tetor, prona e tij në Turqi u konfiskua nga autoritetet.
Dündari ka jetuar në Gjermani që nga fundi i verës të vitit 2016. Kundër gazetarit në Turqi ka disa procese gjyqësore. Turqinë e kritikojnë rregullisht për kufizime sistematike të lirisë së shtypit. Turqia aktualisht renditet e 154-ta në listën e lirisë ndërkombëtare të shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij.
Shoqata e Gazetarëve Gjermanë: "Akt barbarie"
Shoqata e Gazetarëve Gjermanë (DJV) e kritikoi vendimin kundër Dündarit si "akt barbarie". "Dündari ka hulumtuar, raportuar dhe zbuluar - kjo është një gazetari e mirë, por jo krim," tha në Berlin kryetari federal i DJV Frank Überall. "Në vendet e lira ka çmime gazetarësh për këtë, në Turqi ka burgje." Në këtë kontekst, ai u kërkoi autoriteteve gjermane të sigurisë mbrojtjen e plotë të gazetarot: "Një rrëmbim i kolegut tonë dhe dërgimi i tij në Turqi duhet të parandalohet me të gjitha mjetet".
rb/sti (afp, dpa)