060810 Fasten Muslime Deutschland
11 Gusht 2010Katër javë pa pirë e pa ngrënë deri sa të perëndojë dielli – për trupin kjo gjendje është e jashtëzakonshme. Në këtë kohë në vendet islamike e gjithë jeta organizohet sipas orarit të agjërimit: Shpesh puna bëhet natën, ndërsa restorantet dhe kafenetë hapen në mbrëmje.
Azima Moustafa dhe Haidar Omari, të cilët jetojnë që prej 13 vjetësh në Gjermani, tregojnë sa të vështirë e kanë të agjërojnë: "Në Siri agjëroja çdo vit, kurse këtu në Gjermani vitin e kaluar për herë por të parë e thyeva. Agjërova disa ditë dhe pastaj u dorëzova. Ishte shumë vapë dhe unë vuaj nga astma. "
"Në Siri unë agjëroja, natyrisht. Por këtu nuk mundem. Unë ngrihem shumë herët në mëngjes, shkoj në punë deri në orën tetë ose nëntë të mbrëmjes. Punoj në ndërtim, kjo është punë e rëndë trupore, të merr etja, duhet të pish shumë. Do të duhej të rrija një muaj të tërë në shtëpi, vetëm për të agjëruar. Kjo nuk është dhe aq e lehtë."
38-vjeçari e di se punëdhënësi i tij ka nevojë për fuqi punëtore pikërisht tani kur nuk bie shi. Haidar Omari nuk agjëron më që kur ka ardhur në Gjermani. E shoqja e tij, Azima, ka hapur para disa muajsh një dyqan mode në Këln dhe deri tani nuk ka shitëse, që ta zëvendësojë atë në kohën e ramazanit. Por ka edhe diçka tjetër që i mungon 31-vjeçares: Ndjenja e bashkësisë. Në Siri ajo do ta gjente forcën për të përballuar sforcon e agjërimit. Azima është e sigurt për këtë.
Afrim me xhaminë
Kjo ndjenjë u mungon edhe shumë myslimanëve besimtarë që jetojnë në perëndim. Prandaj edhe ata në kohën e ramazanit afrohen më shumë me xhamitë. Abdelwahab Alioui, imam në xhaminë Al-Qod në Krefeld, thotë: "Në kohën e Ramazanit në xhami vijnë më shumë njerëz se zakonisht: Burra dhe gra, pleq e të rinj, fëmijë me prindër. Agjërimi u kujton detyrimet e tjera fetare, të cilat vlejnë gjatë gjithë vitit. Ramazani është shkollë, ku mëson se si të jesh mysliman i ndershëm gjatë tërë vitit: kjo do të thotë, të mos i shash, gënjesh ose vjedhësh të tjerët, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare.”
Ndërsa Hadari dhe e shoqja, Azima, luftojnë çdo vit me sfidën e ramazanit, Mohammed Al-Ibrahim përgatitet shpirtërisht qysh disa javë më parë për këtë kohë. Që prej 20 vjetësh jeton mjeku 42-vjeçar në Köln dhe çdo vit e mban ramazanin. Edhe pse, siç rrëfen kuvajtiani, të mbash ramazanin në Gjermani është një sfidë e vërtetë: "Kudo sheh njerëz që hanë e pinë. Unë kaloj nëpër restorante dhe aroma e gjellës më shpon hundën. Sigurisht që kjo ma shton ndjenjën e urisë. E vështirë eshte edhe me joshjet femërore. Në ramazan ne duhet të përmbahemi. Por në verë është shumë e vështirë. “
Pa ushqim, pa punë, pa seks
Në kohën e agjërimit nuk ndalohet vetëm ushqimi dhe puna, por edhe seksi, deri në mbrëmje. Uria dhe etja u kujtojnë agjëruesve të varfrit, prandaj edhe ata në këtë periudhë dhurojnë më shumë. Sipas një anketimi të Qendrës për Studime Turke në Essen afro 73,4 për qind e myslimanëve turq në Gjermani agjërojnë. Agjërimi është kështu urdhëresa më e respektuar nga besimtarët. Kush nuk e respekton atë, do të ndjejë një farë trysnie të lehtë brenda bashkësisë myslimane. "Ka shumë myslimanë që të shohin shtrembër në se pi birrë, ose nuk mban ramazanin. Kjo më ka ndodhur edhe mua.”
Autor: Ulrike Hummel/ Mimoza Cika Kelmendi
Redaktoi: Aida Cama