1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Urat e dobëta të komunikimit të librit shqip

Lindita Arapi5 Nëntor 2005

Shkrimtarët e Shqipërisë lexohen pak në Kosovë ose të thuash janë pak prezent, po kështu edhe autorët kosovarë njihen pak në Shqipëri, thekson drejtori i shtëpisë botuese "Naim Frashëri", në Tiranë, Arjan Leka

https://p.dw.com/p/AsHQ
Fotografi: AP

Panairi i tetë i librit ku janë ekspozuar rreth 20000 tituj, mbyllet nesër në Tiranë. Ky panair ka arritur tashmë të krijojë imazhin e tij si një festë rajonale e librit shqip. Panairi i këtij viti bie në sy jo vetëm se është një pikëtakimi e rëndësishme mes autorëve, botuesve dhe dashamirëve të librit, por edhe për estetizimin e ambienteve të tij. Drejtori i shtëpisë botuese "Naim Frashëri" vlerëson pozitivisht tendencat e reja në këtë panair. Ajo që më ka bërë përshtypje në panair ka qenë performimi i stendave, të cilat e kanë kapërcyer modelin e vjetshëm të një një kontakti të thjeshtë lexues-autor, por janë krijuar stenda të gjera për takime me autorët, seancat me autograf etj.

Risi në panairin e tetë të librit ishte edhe takimi i zhvilluar mes ministrit të Turizmit dhe Kulturës të Shqipërisë, Bujar Leskaj, Ministrit të Kulturës të Kosovës, Astrit Haraçia, atij të Arsimit dhe Shkences të Maqedonisë, Haziz Pollozhani, si edhe ministrit të Pakicave Kombëtare në Malin e Zi, Gëzim Hajdinaga. Synimi i tij ishte zhvillimi i strategjive të përbashkëta për qarkullimin e librit shqip.

Aktualisht kultura e shkrimit në gjuhën shqipe zhvillohet e pavarur në secilin nga vendet e rajonit ku flitet shqip. Ato pak aktivitete të përbashkëta nuk arrijnë të ndërtojnë dot ashtu si duhet urat e bashkimit kulturor. Kështu autorë të njohur në Kosovë njihen fare pak në Shqipëri ose anasjelltas. Më të panjohur për njëri tjetrin mbeten megjithatë brezat e rinj të autorëve shqiptarë. Arjan Leka mbi qarkullim e librit shqip në rajon thekson: Libri shqip funksionon me kufij të ndryrë, gati prinicipatash, ku shkrimtarët e Shqipërisë pak lexohen në Kosovë ose të thuash janë pak prezent. Po kështu autorët kosovarë njihen pak në Shqipëri. Sidomos autorët e brezit të mesëm, që është tek tridhjetë dyzet vjeç.

Ne funksionojmë si dy kultura thekson botuesi Leka, paçka se gjuha shqipe është e njëjta, por si duket mungon organizimi, mungon performimi i madh i një politike mbi librin. Drejtori i shtëpisë botuese Naim Frashëri në Tiranë shpreson që premtimet e politikës në këtë panair të pasohen nga strategji konkrete ndërkulturore. Besoj që është koha e krijimit të politikave ndërkulturore në editori, thekson Arjan Leka, ku libri shqip të funksionojë në mënyrë të organizuar, sepse gjuhësisht dhe shpirtërisht ne nuk jemi të të ndarë.