1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

“Vrasja e Maratit” shqip për përmasat apokaliptike të jetës

Arben Muka8 Prill 2015

Në këtë sezon, në skenat teatrale të Tiranës janë vënë vepra të autorëve gjermanë, Bertold Brecht, Peter Weiss e Rainer Werner Fassbinder. Regjisori Arben Kumbaro i quan "mjeshtra të bisturisë së thellë në shoqëri”.

https://p.dw.com/p/1F577
Pjesa teatrale Vrasja e Maratit
Fotografi: DW/A. Muka

Ata janë pacientë të një spitali psikiatrik që shtyhen të luajnë një dramë, të një autori, që është brenda radhëve të tyre. Kjo rrethanë absurditeti, si gjetje e dramaturgut gjerman Peter Weiss, ku luhet teatër brenda teatrit, na kthen rreth 200 vjet pas në histori, në konvulsionet sociale të pasrevolucionit francez.

Drama “Vrasja e Maratit” e luajtur në më shumë se 100 versione nga trupa teatrale nga vende të ndryshme të botës, ngjitet dhe në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë nga regjisori Arben Kumbaro. Përzgjedhja e aktorëve protagonistë, si dhe konteksti i ngjarjeve në kohën e sotme kanë qenë ndër sfidat e regjisorit mbi tekstin e Maratit shqip, të përkthyer mjeshtërisht nga i paharuari Ardian Klosi.

Brenda lirisë në laboratorin e tij krijues, Arben Kumbaro ka ofruar për kastën e aktorëve, asistentët dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij një platformë të reduktuar, pa cënuar përmbajtjen e saj, duke iu referuar varianteve të shkruara nga Weiss.

Autori e ka shkruar veprën e tij në disa variante, fillimisht si radiodramë, por që më pas ka bërë ndryshime në vëniet në skenë në Gjermani dhe jashtë saj. Regjisori Kumbaro ka respektuar gjithashtu dhe versionin original të autorit, si dhe i është dashur të menaxhojë një kastë të zgjeruar aktorësh. Ka qenë një punë voluminoze, në shumë drejtime, por tani që produkti është tek njerëzit mendoj se pjesa më e madhe e tyre, edhe nëse nuk më ka kuptuar plotësisht në mesazhet e Weiss-it në shqip, besoj më kanë mirëkuptuar për përpjekjen e bërë, thotë Kumbaro për Deutsche Welle-n.

Arben Kumbaro zbulon elementë të rinj, sa herë shfaqet vepra.
Arben Kumbaro zbulon elementë të rinj, sa herë shfaqet vepra.Fotografi: DW/A. Muka

“Edhe tani që janë bërë më shumë se 15 shfaqje, sa herë që i kthehem performancës në skenë zbuloj nënshtresa të reja idesh, detaje dhe aspekte që mund të bëheshin ndryshe, sepse në fund të fundit magjia e artit të gjallë nuk është tek perfeksioni, por te pafundësia e zgjidhjeve. Kjo është magjia e kësaj pune. Ndjehem i kënaqur që në fund të fundit provokuam, nxitëm njerëzit të mendojnë, shkaktuam entuziazëm te të gjithë ata që punuan për ‘Vrasjen e Maratit'. Shkaktuam dhe daljen në pah të dozave të malinjitetit provincial, bashkëshoqëruese këto në të tashmen dhe të shkuarën e afërt e të largët në atmosferën artistike këtu”.

A është radikalizmi ekstrem zgjidhje për të ndryshuar botën?

Arsyeja kryesore e kësaj ndërmarjeje, për regjisorin është që metaforikisht të vendoste para pasqyrës shoqërinë shqiptare në dy dekadat e fundit, për të gjykuar përpjekjet e saj. Kjo ambicie në nivel lokal ecën paralel dhe me zhvillimet në nivel global: sidomos nga e ashtuquajtura “pranverë arabe”, e cila, sipas tij, po riformaton historinë njerëzore, në krijimin e hapësirave dhe rrugëve të reja për gjithë Lindjen e Mesme.

“Momenti i çlirimit të madh, i ëndrave të mëdha, kur njerëzit, që zëvendësuan diktatorët e mëdhenj, bien pre e zhgënjimeve të mëdha sociale, duke hyrë në qerthullin e devijacioneve të rënda fondamentaliste, të cilat krijojnë terren nga karakteri i tyre utopist. Pra, skenat e 200 viteve më parë, me koka të prera në gijotinë, i shikon sot rëndom në ekranet televizive. Ata që i kryejnë këto akte radikale shprehen se i bëjnë në emër të idealizmit të tyre. Ky është riciklimi i kërkesës për të vendosur drejtësi me mjete ekstreme. Peter Weiss kërkon të provokojë publikun me shndërrimin e figurës së Sharlote Kordeit nga brishtësia në vrasëse dhe që më pas fati i saj është me prerje të kokës në gijotinë”, thotë Arben Kumbaro.

Peter Weiss veprën e tij e shkroi në vitet '60 të shekullit të kaluar, duke parathënë atë që do të ndodhte në fund të viteve '80 dhe në filllim të dhjetëvjeçarit tjetër - rrëzimin e komunizimit në vendet e Europës Lindore: Pas fatalizmit erdhi revolucioni. Duke evokuar një ngjarje të pasrevolucionit francez të rreth dyqind viteve më parë, Weiss shqyrton ciklin e ndryshimeve radikale në shoqëritë njerëzore. Ai prek pyetjen, nëse radikalizmi ekstrem apo fondamentalizmi janë zgjidhje të sotme për të ndryshuar botën.

Aktori kryesor Hervin Çuli në interpretimin e pjesës
Aktori kryesor Hervin Çuli në interpretimin e pjesësFotografi: DW/A. Muka

“Vrasja e Maratit” është shumëdimensionale, pasi merret me përmasat apokaliptike të jetës njerëzore. Pikërisht revolucioni është një moment apokaliptik, raportet e pushtetit me liritë njerëzore, simboli i liderit dhe simboli i turmave, cili prej tyre është me më shumë pushtet. Kjo është dhe pjesë e debatit në shoqërinë shqiptare - nëse liderët ekstremistë janë pjesë e kulturës, apo ata kanë ndikuar dhe e kanë bërë të ndërgjegjshme shoqërinë, e kanë tërhequr atë në idetë dhe aksionin e tyre. Risjellja e këtij debati ka qenë një nga sfidat e mëdha në vënien në skenë të kësaj drame.

Ndryshimi, a duhet të vijë ai nga radikalizimi social apo ai individual? Një nga mesazhet kryesore të veprës është se burgjet më të tmerrshme janë burgjet e shpirtit tonë dhe nëse nuk çlirohemi prej tyre, atëherë jemi të destinuar të dështojmë. Ndryshimi në radhë të parë esencial i vetvetes, para se të godasim në mënyrë kolektive shoqërinë. Këto janë dilema dhe debate, për të cilat nuk preferohet të jepet përgjigje, por nxitet zgjimi i ndërgjegjes njerëzore. Jemi brenda misionit të artit, që sensibilizon njerëzit deri në ato skutat të shpirtit ku as politika as media as kulturologjia nuk mund të mbërrijë.

Vrasja e Maratit në kontekstin shqiptar

Ka qenë një sfidë e madhe që një vepër multidimensionale, për të cilën shumë regjisorë nuk ja kanë arritur dot, të vinte në një teatër që nuk ka përvojë të tillë. Regjisori Kumbaro shprehet i bindur se ka respektuar kodet historike të veprës, duke iu dhënë atyre një karakter sa më universal në zgjidhjet estetike, si në interpretimin e aktorëve, në imazhe, në dekor.

“Përshembull në fillimin e punës kam menduar që mjedisin e spitalit psikiatrik ta ngre në një dekor jashtë Teatrit Kombëtar, si një zgjidhje e përshtatshme estetike, pra që pjesa të luhej në repartin e tornerisë të ish Uzinës ‘Enver' në Tiranë, si simbolikë e marrisë kolektive të realizimit të ashtuquajturave plane 5 vjeçare, në një sfond rrënimi dhe degradimi social për gjithë vendin. Por kjo ishte e pamundur për një sërë shkaqesh logjistike dhe buxhetore”.

Por dhe skena e Teatrit Kombëtar flet me simbolikën e vet, pasi në vitet '50 të shekullit të kaluar ajo ka shërbyer si sallë ku janë zhvilluar gjyqe kolektive. Murret e teatrit kanë janë dëshmitarë të dënimeve kapitale të njerëzve. Ndaj kjo është edhe arsyeja që teatri u zhvesh nga të gjitha perdet duke ndërtuar një skenografi që organikisht nxirrte në pah muret, dëshmitarët e heshtur të marrëzisë kolektive.

"Vrasja e Maratit"
"Vrasja e Maratit"Fotografi: DW/A. Muka

Një ndër aktorët kryesorë në këtë dramë, aktori Hervin Çuli, duke përshkruar personazhin e tij, Maratin, shprehet se ai simbolizon gjithë anarkinë e idealeve. Marati është aventurieri patologjik, që mendon se mund të përmbysë një të tashme, mbi gërmadhat e së cilës i duhet të ndërtojë të ardhmen, thotë Çuli për Deutsche Welle-n .

“Maratët e ditëve tona janë të shumtë, madje fatkeqësisht nganjëherë çdo shqiptar më duket një Marat, pasi mbisundon ideja se historia fillon me ne dhe para dhe pas nesh askush nuk mund të krahasohet me unin, që përfaqësojmë.”

Autorë me bisturi të thellë në realitetin shoqëror

Është një gjë e pazakontë, që brenda një sezoni të Teatrit Kombëtar vihen në skenë vepra të dy autorëve gjermanë. Pak muaj më parë regjisorja Sesila Plasari dha premierën e “Liri në Bremen” të Rainer Werner Fassbinder-it. Vetë regjisori Kumbaro thotë se nuk e njeh gjuhën gjermane, por ama është adhurues i teatrit gjerman. Kjo është hera e tretë që ai vë në skenë vepra të autorëve gjermanë, madje dhe fillimet e tij regjisoriale rreth tre dekada më parë, i ka me “Frikë dhe mjerim në Rajhun e Tretë" të Bertolt Brecht-it. 20 vite më pas solli po në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë Friedrich Durrenmatt-in me veprën e tij “Franku V”. Qasja e tij te autorët gjermanë është “bisturia e thellë e tyre për shoqërinë, konceptet e qarta dhe bashkëkohore të artit teatror, me prirjen për të thurrur mendime ndryshe dhe të sofistikuara.”

Por aroma e teatrit gjerman ndjehet aktualisht dhe në dy institucionet e tjera publike në Tiranë. Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe Teatri i Metropolit kanë përgatitur për artdashësit dy variacione skenike të ndryshme, bazuar në dramën “Arturo Ui” të Bertolt Brecht-it, me regji të Kiço Londos dhe Armando Borës.