Zgjedhje balotazhi për presidentin në Çeki
14 Janar 2013Në fushatën elektorale Karel Schwarzenberg arriti të bindë shumë njerëz. Në qytetet e mëdha të vendit ai kryeson qartë. Edhe brezi i ri votoi thuajse njëzëri për ish-shefin e kancelarisë të Vaclav Havel-it. Kështu në kundërshtim me të gjitha parashikimet e sondazheve, Ministri i Jashtëm proevropian arriti të hyjë në garën e balotazhit. „Unë dua një politikë ndryshe nga ajo e Vaclav Klaus-it. Presidenti mbështet zotin Zeman por kjo nuk do të thotë gjë tjetër veçse vazhdim i politikës së Vaclav Klaus", deklaroi Schwarzenberg.
Schwarzenberg në avantazh të qartë
Në të vërtetë mbështetja e hapur e presidentit Vaclav Klaus mund të bëhet një barrë e pafavorshme për Milos Zeman. Më e vonëta që prej amnestisë së kontestuar në fillim të vitit, shumicës e çekëve u ka mbaruar durimi me kritikun e BE-së. Shumë vëzhgues presin për këtë arsye shanse të mira për Karel Schwarzenberg.
Konkurrenti i tij Milos Zeman mund të mbështetet në përkrahjen e komunistëve, përsëri të fortë, por socialdemokratët nuk e shohin me sy të mirë daljen e tij nga partia dhjetë vjet më parë. Megjithatë populisti i majtë ka njoftuar një fushatë elektorale mes kampesh politike: "Ky do të jetë një duel si në Francë mes të majtës dhe të djathtës, mes Hollande dhe Sarkozy. Askush nuk mund t'i largohet përgjegjësisë, si për të shkuarën ashtu edhe për të ardhmen.“
Luftë elektorale mes kampesh politike
Por shumë çekë kanë kujtime të këqija nga koha e qeverisjes së Milos Zeman-it. Si kryeministër ai lidhi me opozitën në vitin 1998 një marrëveshjeje për heshtje politike. Sipas kritikëve të tij, filloi atëherë një kohë e errët korrupsioni të shfrenuar. Në mediet çeke flitet edhe për financimin e fushatës së tij elektorale nga koncerni rus i naftës Lukoil. Për këtë arsye fushata e re elektorale për zgjedhjet e balotazhit pas dy javësh do të zhvillohet me tone të forta, mendon sociologu Jan Tucek: "Tani hyjmë në fazën e nxehtë. Kemi dy personalitete krejt të ndryshme me grupe plotësisht të ndryshme votuesish. Çekia ndodhet para një vendimi për drejtimin që do të ndjekë. Por natyrisht kemi edhe një zgjedhje të qartë personi. Çdo votues vendos se kush mund të përmbushë më mirë rolin e presidentit.“
Që tani premiera e zgjedhjeve direkte festohet si ngjarje historike në Çeki. Pjesëmarrja e lartë prej më shumë se 60 për qind është sukses për demokracinë e re të vendit, vlerësojnë vëzhguesit. Lufta për fortesën e Pragës, sipas tyre, ka zgjuar çekët e lodhur nga politika.