Zgjedhje vendimtare në landin gjerman Renani Veriore - Vestfali
9 Maj 2010Në kryeqytetin e vendit Berlin ka nervozizëm. Të gjithë sytë drejtohen nga Renania Veriore - Vestfalia (NRW). Kjo sepse këtu vendoset sot jo vetëm për vazhdimin në kryeqytetin e landit Dyseldorf. Këtu vendoset edhe për vazhdimin në Berlin. Ashtu si në rrafsh vendi edhe në NRW qeveris një aleancë e ashtuquajtur zi-e-verdhë midis kristiandemokratëve (CDU) - kristiansocialëve (CSU) dhe liberalëve (FDP).
Ende qeveris ajo, sepse sipas sondazheve të fundit punët nuk duken mirë për këtë kombinacion. Sipas tyre zi-e-verdhë është po aq sa kuq-e-gjelbër, pra sa aleanca midis Partisë Socialdemokrate (SPD) dhe Të Gjelbërve. Të dyja kombinacionet arrijnë 45 për qind, por jo shumicën. Në rast se kjo ndryshon dhe ka shumicë për SPD-në dhe Të Gjelbrit, atëherë qeverisja deri në fund të mandatit do të bëhet më e vështirë për qeverinë në Berlin.
Kjo pasi çfarëdo që të vendosë kabineti dhe dhoma e ulët e parlamentit, projektligjet duhet të miratohen edhe nga një instancë tjetër. Kjo është dhoma e lartë e parlamentit e quajtur edhe dhoma e landeve, selia e përfaqësive të landeve. Në rast se në NRW zgjidhet një qeveri kuq-e-gjelbër, atëherë do të kishte sërish shumicë për opozitën në dhomën e lartë dhe ajo ka plane të ndryshme nga ato të qeverisë.
Temat e mëdha të mosmarrëveshjes midis qeverisë dhe opozitës janë heqja dorë nga energjia bërthamore, uljet e taksave dhe e ashtuquajtura shumë e rrumbullakosur për frymë në sigurimin shëndetësor ligjor. Qeveria e vjetër midis SPD-së dhe Bashkimit Kristiandemokrat-Kristiansocial (CDU-CSU) synonte ta çonte përpara heqjen dorë nga energjia bërthamore në Gjermani. Për SPD-në kjo ishte një temë e rëndësishme e fushatës zgjedhore për zgjedhjet kombëtare të 27 shtatorit 2009. Por, CDU dhe FDP nuk e kanë pëlqyer ndonjëherë këtë ide, kështu që planet për një ndarje të shpejtë nga kjo energji përfunduan shpejt në koshin e plehrave dhe në tryezë u vendosën plane të reja për zgjatjen e kohës së shfrytëzimit të centraleve bërthamore. Këtë qeveria nuk do të jetë më në gjendje ta arrijë, në qoftë se dhoma e lartë e parlamentit është kundër këtij projekti.
Autor: Silke Wünsch / Elert Ajazaj
Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi