Çekia do të stacionojë sistemin amerikan të mbrojtjes raketore
23 Maj 2008Qeveria e Çekisë ka miratuar një marrëveshje me SHBA për stacionimin e sistemit të planifikuar amerikan të mbrojtjes raketore në Evropën Lindore. Aprovimi u dha gjatë një takimi që u bë të mërkurën në qytetin Teplice, bëri të ditur një zëdhënëse. Uashingtoni synon ta lidhë pajisjen e radarit në Çeki me 10 antiraketa të stacionuara në Poloni. Sipas të dhënave të ministrisë së jashtme në Pragë, ministrja e jashtme amerikane, Kondolisa Rajs do të shkojë brenda dy muajve të ardhshëm në Pragë, për të nënshkruar marrëveshjen kuadër. Në themel të kësaj marreveshjeje janë dy marrëveshje të tjera, të cilat duhet të aprovohen nga parlamenti. Negociatat për marrëveshjen e dytë ende vazhdojnë.
Deklarata e protestës nënshkruhet nga presidenti rus dhe ai kinez
Ky hap u shoqërua sot me protesta të forta nga Rusia dhe Kina. Në një deklaratë të përbashkët, u tha se "të dyja palët besojnë se krijimi i një sistemi të mbrojtjes raketore...nuk ndihmon për krijimin e një ekuilibri dhe stabiliteti dhe dëmton përpjekjet ndërkombëtare për kontrollin e armëve dhe mosfurnizimin me to". Deklarata u nënshkrua nga të dy presidentët, Dmitri Medvedjev dhe Hu Jintao, gjatë vizitës që presidenti rus po bën në Pekin.