Çekia pranon radarët amerikane, Polonia nguron për raketat
5 Korrik 2008Kryeministri Tusk deklaroi se qëndrimet nuk janë afruar as pas telefonatës me zëvendëspresidentin amerikan Dick Cheney. Polonia ka kërkuar si kundërshpërblim garanci për masa të veçanta sigurie.
Nga mesi i javës SHBA lëshuan një informatë ku thuhet se negociatat me Poloninë për ndërtimin e sistemeve të mbrojtjes raketore kanë dështuar. Më parë ishte përmendur edhe Letonia si alternativë e mundshme. Pas një telefonate me zëvendëspresidentin Dick Cheney, edhe kryeministri polak Tusk, bëri të ditur se negociatat për ndërtimin e sistemeve raketore amerikane në Poloni, janë shumë afër dështimit.
"SHBA kanë qenë dhe janë partneri kryesor dhe mik i Polonisë. Ushtarët tanë kanë ndihmuar gjithmonë kur ka qenë e domosdoshme dhe kritike. Kështu ka ndodhur në Irak dhe Afganistan. Mirëpo këto negociata janë edhe më shumë: kanë të bëjnë me territorin e Polonisë."
SHBA duan që sistemet radare t'i ndërtojnë në Çeki ndërsa sistemet raketore mbrojtëse në Poloni. Zyrtarisht thuhet se qëllimi është mbrojtja prej sulmeve të mundëshme nga Irani, por Rusia ndjehet e kërcënuar. Me Pragën është arritur marrëveshja, por jo edhe me Varshavën.
Para fitores në zgjedhje, kryeministri Tusk ka deklaruar se për dallim prej ish kryeministrit Kacinski, në negociata me amerikanët do të jetë më i ashpër. Polonia kërkon ndihma më të mëdha për ndërtimin e sistemeve të saja ajrore dhe modernizimin e ushtrisë. Varshava synon edhe një bashkëpunim më të ngushtë me amerikanët.
"Ndërtimi i sistemeve raketore në Poloni do të forconte sigurinë e SHBA, që natyrisht është e rëndësishme edhe për mbarë botën. Mirëpo ngritja e këtyre sistemeve paraqet edhe rrezik për cënimin e vet Polonisë. Prandaj çështja më e rëndësishme është siguria e Polonisë, e cila mund të sigurohet me garanca të qarta ushtarake."
Megjithë vështirësitë e tanishme, në Varshavë nuk është kumtuar përfundimi i negociatave. Kryeministri tha se negociatat vazhdojnë dhe se Polonia është në pritje të përgjigjes amerikane. Karol Karski nga parta opozitare e Kacinskit pohon: "Besoj se përgjigja do të jetë negative, jo në gjuhën e përditshme, por në gjuhën diplomatike me siguri që përgjigja do të jetë "jo".
Hezitimet e kryeministrit Tusk nuk janë të rastit. Një komentator shkruan se kryeministri duhet të zgjidhë mes dy të këqijave, sepse pa marrë parasysh si do të vendosë, do të përballet me kritika të shumta. Nëse dështojnë negociatat për sistemet raketore, do të cënohet miqësia polako - amerikane. Nëse pranon, do të akuzohet se i ka shitur lirë interesat e Polonisë.