Çështja e të zhdukurve plagë e hapur për familjet
5 Dhjetor 2020Kizhevaku, 285 kilometra në jug të Beogradit. Në këtë vend malor, në afërsi të Kosovës, është gjetur varreza e pestë masive me mbetjet mortore të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së vitit 1999. Besohet se kufomat u bartën këtu në fund të luftës për të humbur gjurmët. Hetuesit arritën ta gjejnë vendndodhjen pas shumë vitesh kërkimi me ndihmën e Kryqit të Kuq. Zyrtarët thonë se dyshojnë për 15 deri në 17 kufoma.
Zyrtarët e Qeverisë së Serbisë duan ta bindin publikun se çdo infomatë do të verifikohet. "Në Londër, Uashington, dhe Bruksel në kuadër të dialogut jemi pajtuar dhe kemi marrë obligim që të punojmë në mënyrë transparente dhe t'i shkojmë deri në fund këtij procesi." - tha Velko Odalloviq, nga Komisioni për të zhdukurit i Qeverisë së Serbisë.
Kurse Ibrahim Makolli, nga Komisioni i të Zhdukurve në Qeverinë e Kosovës, i cili qe gjithashtu i pranishëm në hapjen e varrit masit tha: "Angazhimet tona nuk do të ndalin deri në zbardhjen përfundimare të të gjithë personave të zhdukur. Bazuar edhe në deklaratat e politikanëve në Serbi ne dyshojmë po ashtu se ekzistojnë edhe disa varreza masive në territorin e Serbisë."
Ende 1.638 të zhdukur
Ende si të zhdukur në luftën e Kosovës konsiderohen 1.638 vetë. Shumica janë shqiptarë, por në mesin e tyre ka edhe rreth 300 serbë.
Arsim Gërxhaliu, është patologu kryesor në Kosovë dhe shef i Institutit për Mjekësi Ligjore në Prishtinë. Pas luftës ai ka kryer të gjitha transferimet e mbetjeve mortore nga Serbia. Ka punuar në rekonstruktimin e skeletëve të viktimave të zhvarrosuara. Por problemi ende nuk është zgjidhur.
"Ky rast është zhvarrosur javën e kaluar dhe mund të them që është një rast i plotë pasi janë ruajtur rrobat e të ndjerit, e që është gjë e mirë për ne dhe sidomos kur ka artefakte siç janë unazat e floririt apo gjëra të tjera. Bëhet fjalë për një mashkull të moshuar." - thotë Arsim Gërxhaliu duke treguar disa prej mbetjeve të gjetura.
Doktor Gërxhaliu është i goditur edhe vetë nga lufta pasi nga familja e tij janë vrarë 33 vetë, në mesin e të cilëve edhe djali i xhaxhait të tij bashkë me familjen dhe tetë fëmijë. Arsim Gërxhaliu thotë se problem është mungesa e informacioneve me kalimin e viteve. Në institut ka ende rreth 300 mbetje mortore të paindentifikuara. Familjet e kanë të vështirë ndonjëherë ta pranojnë realitetin. "Kemi një numër mbetjesh mortore që janë nga lufta e fundit, por nuk mund të identifikohen pasi ka anëtarë të familjeve që refuzojnë të japin gjak. Në bazë të informacioneve të para mundësia është e lartë që këto kufoma t'u takojnë atyre familjeve, por familjarët refuzojnë të japin gjak pasi besojnë se të dashurit e tyre mund të jenë nëpër burgje private diku në Serbi."
Kujtime traumatizuese
Gërxhaliu njeh shumë prej familjeve të të zhdukurve, të cilët mbi dy dekada janë në kërkim të fatit të më të dashurve. Është nisur drejt Gjakovës, qytetit ku janë vrarë qindra shqiptarë, kryesisht meshkuj. Ai thotë se është e vështirë kur i njofton familjet kur gjenden kufomat, por shumicës u qetësohen shpirtërat kur mund t'i varrosin të afërmit. "Është i kuptueshëm reagimi i parë i familjeve, pasi kur i informojmë për gjetjen e mbetjeve mortore, atyre u rikthehen në mendje pamjet e vitit 99. Shumë prej tyre kanë parë momentet, kur ua kanë marrë të afërmit dhe ato momente u kthehen sërish."
Kjo shtëpi tani është një muze. Gërxhaliu njihet mirë me të zonjën e shtëpisë. Ferdonije Çerkezi më nuk ka fëmijë, por atë të gjithë që e njohin në Kosovë dhe e thërrasin nënë. Deri para luftës ajo jetonte me burrin dhe katër fëmijët e saj dhe dy nuset, që kishin arritur në shtëpi tetë muaj para ngjarjeve të kobshme.
"Unë i kam ruajtur gjërat ashtu si i kanë lënë nuset dhe nuk i kam prekur, përveç kur i pastroj. E gjithë kjo ka një vlerë të madhe kujtimi dhe kam dashur t'i tregoj botës se si ua kanë ndërprerë jetët dhe aktivitetet, kurse mua më lanë të vetme nga tetë anëtarët e familjes. Të gjitha i ruaj me fanatizëm." - tregon Ferdonije Çerkezi.
Më 27. mars 1999 në shtëpi u futën policët serbë nga qyteti. Disa prej tyre ajo ua di edhe emrat. Ata erdhën dhe shkuan disa herë. Në fund kanë maron burrin dhe katër djemtë dhe mysafirët që ishin tek ta. Më e vështira ishte kur i morën më të voglin, djalin 14 vjeç. "Djali im, Mondi, ka qenë këtu pas meje dhe i thashë çohu se erdhi policia. Ata i morën meshkujt dhe kërkuan edhe një. Unë u thashë m'i morët të gjithë dhe ata m'u përgjigjën: duam edhe një. Në atë kohë Edmondi nuk kishte kartë identiteti dhe kur i numëruan bërtita ma morët edhe Edmondin e vogël.
Dy nga katër djemtë e saj u gjetën në vitin 2005, kurse nga i treti janë gjetur vetëm rrobat, por jo dhe trupi. Prej asaj kohe nuk ka pasur asnjë informacion për dy djemtë dhe të shoqin, dhe Ferdonije Çerkezi nuk ka marrë as drejtësi për krimin e kryer ndaj familjes së saj. Ajo shpreson se një ditë do të mund t'i varrosë ata në qytetin e lindjes: "Ndjejmë lumturi kur dëgjojmë se janë duke i gjetur, por ky gëzim është i përzier më hidhërim pasi duam të paktën që një pjesë të trupit ta varrosim në vendin e lindjes. Zemra e nënës kurrë nuk bën rehat, por të paktën ta di që janë në Gjakovë. Zemra ime që prej kohës kur i kanë marrë, rri pezull."
Kjo është varreza e viktimave në lagjen Çabrat. Nëna Ferdonije ka varrosur këtu dy djemtë. Vendet e varreve i kanë edhe bashkëshorti me dy djemtë, por varret janë bosh. Gjakova është nga qytetet ku janë vrarë më tepër civilë, me mbi 1.000 të vrarë në tërë komunën dhe kryesisht meshkuj.
"Të përbashkët e kemi dhimbjen dhe vuajtjet"
Paralagjia e Beogradit Borça. Natasha është nga komuna e Istogut në Kosovë. Në këtë vend jeton që kur ka ikur nga Kosova në përfundim të luftës. Prindërit e saj nuk donin ta braktisinin vendlindjen. Pas pak ditësh ata i vranë. Natasha thotë se ushtarët e NATO-s nisën disa mbetje mortore, të cilat organet i kanë varrosur në varrezat Lleshak të Beogradit. Më vonë u bë obduksioni dhe autoritetet e njoftuan Natashën se në mesin e tyre janë gjetur pjesë të trupit të babait. Por jo dhe të nënës.
"Ata ndejtën dhe duke marrë vendimin e gabuar. Ata nuk donin ta braktisin pragun e shtëpisë, ata nuk jetonin në pallat, por në shtpinë e tyre dhe babai donte të priste fqinjët shqiptarë të ktheheshin pasi kishte ruajtur shtëpitë e shqiptarëve, ato në afërsi që ka mundur. Gjithmonë mendoj për babain fillimisht dhe më pas për nënën, se si ka vdekur ajo. Kurrë askujt nuk i kanë bërë asgjë, asnjë mëkat nuk kanë bërë dhe andaj vendosën të rrinë. Shtëpia jonë kurrë nuk ka qenë e mbyllur dhe të gjithë kanë qenë shqiptarë, përveç familjes sonë. - thotë Natasha Sçepanoviq-Pumpalloviq.
Natasha përmes organizatës „Shoqata e viktimave të Kosovës", e themeluar më 2014, merret me temën e të zhdukurve dhe thotë se nuk do të heqë dorë. Prej vitesh ajo takohet edhe me familjet nga rajoni dhe me shqiptarët, të cilët kanë pasur fat të ngjashëm. E gjithë kjo, thotë Natasha, është një vuajtje e gjatë dhe viktimat duan drejtësi dhe të prehen në paqe.
"Për mua nuk ka rëndësi që unë jam serbe dhe që ata janë shqiptarë, pasi të përbashkët e kemi dhimbjen dhe vuajtjet, të gjithëve na dhëmb njësoj, kemi dëshirat e njëjta dhe qëllimet. Ne duam të na gjenden mbetjet e martirëve tanë. Tani dëshira e vetme është t'i gjejmë, që së pari të gjejmë kockat, t'u ndezim qirinj, t'u çojmë lule e kështu të gjejmë paqe dhe qetësi për shpirtrat e tyre dhe për tanët." - thotë Natasha Sçepanoviq-Pumpalloviq.
Varreza e re nuk do t'i lehtësojë dhimbjet e shumë prej tyre, por të gjithë presin të kuptojnë fatin e njerëzëve të varrosur këtu, ndoshta qindra kilometra nga vendet ku janë lindur. Komisionet e të zhdukurve bashkëpunojnë dhe politika në Serbi e Kosovë kanë premtuar ta zgjidhin këtë problem dhe të zhdukurit janë përmendur edhe në dialogun politik në Bruksel. Por deri tani duket se gjërat lëvizin me vështirësi dhe fundi i agonisë dhe i dhimbjes për shumë familje është ende në pikëpyetje.